VMRO: Masat e Zaevit dhe Filipçes, fashizëm klasik
VMRO DPNNE-ja konsideron se masat e paraqitura nga Zoran Zaev dhe Venko Filipçe janë fashizëm klasik. Zëdhënësi i VMRO-së Dimçe Arsovski tha se që nga dita e parë e virusit korona, çdo masë e vetme e prezantuar nga Qeveria është e dështuar dhe joefektive.
“Sistemi një kohë të gjatë nuk funksionon me këtë qeveri. Prej kohësh qytetarët kanë mbetur vetëm. Ndërsa, masat jofunksionale të tilla si; vetëm të vaksinuarit mund të jetojnë, e çojnë vendin drejt një dështimi të ri. Kjo qeveri nuk e ka idenë se si të sillet me virusin korona, por kanë qindra ide për të diskriminuar qytetarët. Çdo qytetar në Republikën e Maqedonisë ka të drejtë të zgjedhë dhe atë të drejtë zgjedhjeje nuk mund dhe jo vetëm që nuk mund, po as nuk guxon t’ia merr as Zoran Zaevi e as Venko Filipçe”- deklaroi Dimçe Arsovski.
Masat e reja dhe vaksinimi masiv kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe shëndetin kolektiv pasi lloji i ri i virusit korona filloi të përhapet, reagojnë nga LSDM-ja, si kundërpërgjigje ndaj konferencën për shtyp të VMRO-DPMNE-së.
LSDM
“Në vend që të bëjë thirrje për respektim të përpiktë të masave për mbrojtje dhe vaksinimin masiv të qytetarëve, piromani mjekësor, Hristijan Mickoski, sërish është në anën e virusit korona. Që nga fillimi i krizës së kovidit, Mickoski bën gjithçka për të minuar sistemin, për të nxitur mosrespektimin e masave dhe për t’i zmbrapsur njerëzit nga imunizimi masiv. Veprimet e piromanit Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja dëmtojnë drejtpërdrejtë sistemin shëndetësor dhe paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.”
Masat e reja kufizuese të pushtetit i kritikuan edhe partitë e tjera opozitare.