Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ditët e fundit ka shprehur shqetësim për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, u ndal edhe te kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke vlerësuar se sipas disa indekseve amerikane ato janë më të fuqishme se ushtritë e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

“Nuk e them unë këtë, është këndvështrimi i tyre, jo i imi”, deklaroi Vuçiq, transmeton 4news.mk, duke shtuar se bëhet fjalë për vlerësime të bëra sipas analizave ndërkombëtare.

Duke folur për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, presidenti serb e cilësoi atë si “kërcënimin më të madh” për Serbinë, duke pretenduar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është ushtrimi i presionit ndaj Beogradit.

Vuçiq aktualisht po qëndron në Indi, ku po merr pjesë në një samit kushtuar inteligjencës artificiale.

Sipas portalit “KoSSev”, ai atje ka zhvilluar takime me kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me kryeministrin kroat Andrej Plenković.

Vuçiq deklaroi se sipas vlerësimeve të tij, aleanca është formuar me qëllim përgatitjen e terrenit për një konflikt të mundshëm në Evropë në të ardhmen.

“Ata e formuan këtë me qëllim që të presin mundësinë e një konflikti mes Evropës dhe Federatës Ruse, e kur kjo të ndodhë, të mund të kryejnë një invazion ndaj Serbisë nga disa drejtime të ndryshme”, u shpreh ai.

Ai edhe më herët, nga Mynihu më 13 shkurt, kishte deklaruar se “kërcënimi më i madh për Republikën e Serbisë është aleanca ushtarake Kroaci–Prishtinë–Tiranë”. (INA)

sqShqip