Maqedoni

Mickoski: Ndërkombëtarët të monitorojnë zgjedhjet

Edhe pse filluan të rrjedhin afatet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ende nuk është asgjë e qartë nëse do të bëhen ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Propozimet në të cilat janë përfshirë edhe disa nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-së janë në procedurë parlamentare por të bllokuara nga qindra amendamente nga partitë më të vogla. Kreut i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, thotë se janë të gatshëm të mbështesin ndryshimet e Kodit Zgjedhor por shton se problemi qëndron tek pushteti, ku nuk ka marrëveshje brenda partnerëve. Ai vlerëson se votimi me shenjat e gishtërinjve është çështje e kryer dhe është hap i madh drejt demokracisë në vend. Megjithatë fton faktorin ndërkombëtar menjëherë të vëzhgojë zgjedhjet pasi, thotë se që tani kanë hasur në tentime të manipulimit të votuesve nga ana e pushtetit.

Terminalet për shenjat e gishtërinjve janë hap i madh për drejt demokracisë, kërkesë e opozitës, përfundimisht kemi atë aplikacion, për kërkoj edhe nga bashkësia ndërkombëtare drejtpërdrejtë të inkuadrohet në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, për shkak se blerja, kërcënimet presionet filluan, ajo që frikëson dhe shqetëson është që emra dhe logot e të institucioneve financiare ndërkombëtare qëndrojnë në ato pako që i keqpërdorin funksionarët e pushtetit dhe kandidatët për kryetar komunash të pushtetit- deklaroi Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.

Nga opozita shqiptare thonë se dorëzimi i propozim ligjit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është përgjegjësi e pushtetit.

“Për ne është shumë e rëndësishme që të përfshihen rekomandimet e OSBE-ODIHR-së në propozim ligjin e ri. Kurse sa i përket procedurës se kur do të miratohen ose kur do të bëhen ndryshimet e ligjit, kjo është përgjegjësi e Qeverisë dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi. Është me rëndësi për ne që zgjedhjet të mbahen në afat ligjor dhe të jenë të besueshme, demokratike dhe të lira.”- pohoi Shefik Duraki, ASH.

Meqë Kuvendi do të ndërpresë punën gjatë fushatës zgjedhore nga fundi i shtatorit, nga LSDM-ja vlerësojnë se ndryshimet e Kodit zgjedhor mund të bëhen brenda muajit gusht.

Bisedat për Kodin Zgjedhor janë ë vijim me subjektet politike, vazhdimisht bisedohet në atë temë. Presim që gjatë muajit gusht të ketë takime, të hapet Kuvendi që të mund të përfundojë edhe ai proces, pa dallim si do të jetë rezultati. Qëndrimi jonë si parti është që ai ligj të miratohet, por pasi jetojmë në kushte demokratike, përfundimin do ta dimë në Kuvend- tha Goce Georgievski, LSDM.

Ndërsa nga BDI thonë se është mirë që zgjedhjet të mbahen me Kod Zgjedhor të ndryshuar.

Nëse është e nevojshme që të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-së për arsye se janë kërkesë e drejtë e BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar e cila do të ishte reflektuar në raportin në vjeshtë, atëherë pse jo edhe të gjithë ne të mobilizohemi dhe të miratojmë ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilat do të ishin në përputhje me rekomandimet e miqve tanë ndërkombëtar- pohoi Artan Grubi, BDI.

Pas shpalljes së zgjedhjeve, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, deklaroi se, tani që procesi zgjedhor ka filluar, nuk beson që partitë politike që do të insistojnë në ndryshim të rregullave zgjedhore dhe sugjeroi të mos ketë procese të tilla. Propozim ndryshime në Kodin zgjedhor të cilat janë në procedurë parlamentare përfshijnë lista të hapura për këshilltarë, prag zgjedhor prej 3% për zgjedhjen e këshilltarëve, sigurim nënshkrimesh nga 2% e votuesve në listën zgjedhore për kandidimet e pavarura si dhe ndryshime të tjera./Alsat