Historia e arsimit shqip në Kumanovë është histori qëndrese, sakrifice dhe vizioni afatgjatë. Në këtë rrugëtim, një vend të veçantë zë Gjimnazi “Sami Frashëri” me mësim në gjuhën shqipe, një institucion që lindi si sfidë dhe u shndërrua në simbol të triumfit të së drejtës për arsim në gjuhën amtare.
Në fillimet e tij, hapja e tri paraleleve në gjuhën shqipe u përball me kundërshtime të hapura institucionale. Të quajtura nga pushteti i kohës si “paralele të egra”, ato u konsideruan të paligjshme, të përkohshme dhe të destinuara për dështim. Diskursi zyrtar i asaj periudhe synonte delegjitimimin e një kërkese themelore, të drejtën për arsimim në gjuhën shqipe.
Megjithatë, historia dëshmoi të kundërtën.
Këto paralele nuk ishin produkt i rastësisë, por i një vetëdijeje kolektive. Ato u hapën në kushte të vështira infrastrukturore dhe politike, u mbrojtën me guxim nga ushtruesit e detyrës së drejtorit, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit, dhe u ushqyen me idealin e dijes si themel i emancipimit kombëtar e shoqëror. Sakrifica e brezave të parë nuk ishte thjesht akt rezistence, por një projekt i qartë për të ardhmen.
Më 7 tetor 1991, në ambientet e shkollës fillore “Vëllazërimi”, sot Shkolla Fillore “Naim Frashëri”, nisën tri paralele të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe në Kumanovë. Nga disa klasa të improvizuara, kjo nismë filloi të zgjerohej, përpos drejtimit të gjimnazit, u hapën edhe drejtime të reja profesionale në Ekonomi, Teknikë, Bujqësi dhe Mjekësi, duke krijuar bazën e një sistemi më të konsoliduar arsimor. Kjo shtrirje nuk ishte vetëm numerike, ajo përfaqësonte institucionalizimin gradual të një të drejte të mohuar që nga viti shkollor 1987/88.
Sot, Gjimnazi “Sami Frashëri” nuk është më vetëm një shkollë. Ai është një trung i fortë që ka dhënë mijëra bij e bija të dijes, profesionistë, intelektualë, mjekë, inxhinierë, ekonomistë e mësues, që kontribuojnë në jetën publike dhe në zhvillimin e shoqërisë. Nga “të egra” u pranuan, nga të kontestuara u shndërruan në shtylla të arsimit shqip në këtë trevë.
Zhvillimi i mëvonshëm i arsimit të lartë, përfshirë hapjen e Fakultetit të Administratës së Biznesit më 2008, në Kumanovë, përbën vazhdimësi logjike të këtij rrugëtimi. Brezat e rinj akademikë që dalin sot janë dëshmi se fara e mbjellë në kushte të vështira ka dhënë fryte të qëndrueshme. Ajo që dikur shihej si e përkohshme, sot është realitet institucional dhe pjesë e pandashme e hapësirës arsimore shqiptare.
Në plan më të gjerë, kjo histori tejkalon kufijtë e një shkolle apo një qyteti. Ajo është shembull se idealet e drejta nuk shuhen nga presioni politik apo paragjykimi institucional. Përkundrazi, ato forcohen në përballje me vështirësitë. Ideali për arsim në gjuhën amtare nuk ishte thjesht kërkesë kulturore, ishte kërkesë për dinjitet, barazi dhe afirmim identitar.
Prandaj, rasti i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë mbetet dëshmi se kur e drejta mbështetet mbi vetëdije, sakrificë dhe unitet, ajo shndërrohet në realitet të qëndrueshëm. Idealet e drejta nuk shuhen, ato rriten, institucionalizohen dhe trashëgohen brez pas brezi.

Ta kemi për jetë arsimin shqip në çdo cep të trojeve shqiptare.

Etem Xheladini
16.02.2026

sqShqip