Në email-e të lidhura me milionerin amerikan të ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein, shfaqen pretendime se tru nga persona të vdekur në Maqedoni janë ngrirë dhe transportuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjoja janë përdorur për qëllime kërkimore.
Megjithatë, email-i në asnjë mënyrë nuk lidhet drejtpërdrejt me skandalin e Jeffrey Epstein, por është pjesë e një hulumtimi gazetaresk të “Bloomberg Businessweek”, realizuar nga gazetarët Cynthia Koons dhe Robert Langreth.
Artikulli mban titullin:
“Ilaçi 50-vjeçar që mund të zgjidhë krizën amerikane të vetëvrasjeve” (bëhet fjalë për ketaminën).
Në tekst thuhet se, në kuadër të një studimi shumëvjeçar shkencor mbi vetëvrasjet, shkencëtarë amerikanë të lidhur me Universitetin Columbia kanë krijuar një bankë të trurit njerëzor për qëllime kërkimore.
Koleksioni përmban rreth 1.000 tru, përfshirë mostra nga persona që kanë kryer vetëvrasje dhe mostra kontrolli.
Maqedonia përmendet si një nga vendet që ka kontribuar me mostra, përmes bashkëpunimit me shkencëtarë të Universitetit Columbia. Në tekst theksohet se trutë nga Maqedonia janë hequr pas vdekjes, janë ngrirë menjëherë, janë transportuar në SHBA për qëllime shkencore dhe janë etiketuar e arkivuar sipas rregullave.
E gjithë storja gazetareske është e publikuar dhe e qasshme publikisht në faqen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Sipas informatave të publikuara, në korrespondencën elektronike përmenden detaje logjistike për krioprezervimin (ngrirjen e thellë) të truve njerëzorë, si dhe dërgimin e tyre në laboratorë të specializuar në SHBA. Disa nga email-et sugjerojnë se mostrat vinin nga Maqedonia, gjë që shkaktoi reagime të forta dhe pyetje serioze në publik.
“Mijëra trurë njerëzorë të shtetasve maqedonas kanë përfunduar në shitje”, zbulojnë dosjet e pedofilit Jeffrey Epstein, thuhet në postim.
Epstein, sipas pretendimeve, ka dhuruar shuma të mëdha për kërkime mbi trurin e njeriut, ndërsa mostrat kanë qenë nga qytetarë të Maqedonisë.
Një email me datë e martë, 5 shkurt 2019, sipas autorit, konfirmon se fondacioni Jeffrey Epstein VI Foundation ka financuar kërkime mbi trurë me origjinë nga Maqedonia. Bëhet fjalë për periudhën e viteve ’90 dhe 2000, kur, sipas pretendimeve, në mënyrë të organizuar dhe përmes një personi të caktuar, trutë e personave të vdekur në Maqedoni janë nxjerrë dhe dërguar në SHBA.
Një pjesë kyçe e tekstit përkthehet si më poshtë:
“Shteti i vogël ballkanik, Maqedonia, siguron trurët më të freskët, falë një anëtari të stafit të Universitetit Columbia që vjen prej andej dhe që ndihmoi në organizimin e gjithë procesit. Trurët maqedonas ngrihen menjëherë pas heqjes dhe transportohen me avion në arka, nën shoqërim të veçantë, duke përshkuar rreth 7.500 kilometra për të përfunduar në kuti të zeza sa një kuti këpucësh, të shënuara me kode QR. Brenda ndodhen pjesë të disekuara të indit rozë në qese plastike, të shënuara: ana e djathtë, ana e majtë dhe data e marrjes.”
Sipas informatave të pakonfirmuara, operacionin e dërgimit të truve nga një klinikë në Shkup drejt një universiteti prestigjioz amerikan e ka organizuar një person i njohur me origjinë nga Shkupi, i cili thuhet se u bë profesor në atë universitet dhe veproi si “ndërmjetës” i truve, për çka dyshohet se është shpërblyer.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë më 30.01.2026 publikoi miliona faqe dokumentesh lidhur me rastin Epstein.
Shkrimi është publikuar në Facebook nga Burim Qerimi.
Ky zbulim vjen në një periudhë kur vazhdimisht publikohen dokumente, email-e dhe kontakte të reja të lidhura me rrjetin e Epstein, duke bërë që emri i tij, edhe vite pas vdekjes, të mbetet në fokusin e opinionit publik botëror. Çdo publikim i ri hap dyshime shtesë mbi shtrirjen e ndikimit dhe aktivitetet që janë zhvilluar pas dyerve të mbyllura

sqShqip