Në seancën e djeshme parlamentare për pyetje parlamentare, siç dihet kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare të deputetit Skender Rexhepi në lidhje me ndryshimet kushtetuese, theksoi se deri sa është Kryeministër, ato nuk do të ndodhin nëse maqedonasit në Bullgari nuk marrin të drejtat e garantuara në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare dhe derisa të merren garanci se në të ardhmen shteti nuk do të përballet me pengesa dhe bllokada për arsye subjektive. Me këtë rast, ai i ka bë ofertë deputetit Rexhepi që të përkrahë këtë qëndrim, transmeton Lideri.mk.
“Do ta përsëris, deri sa komuniteti maqedonas në Bullgari, mendoj se duhet ta mbështesni atë qëndrim, duhet ta mbështesni qëndrimin për maqedonasit nga Razlogu, nga Gorna Xhumaja, nga Sandanski, nga Pirini, duhet ta mbështesni sepse në regjistrimin e vitit 1956 ata ishin 200 mijë dhe ishin shumica në rajonin e Pirinit të Maqedonisë. Ata ishin dy të tretat e popullsisë së përgjithshme, dhe si me magji në regjistrimin e vitit 1965 numri bëhet 9 mijë. Nga dyqind mijë në 9 mijë, dhe një ish-president bullgar e përshkruan këtë si inxhinieri për të cilën është veçanërisht krenar. Ata po privohen nga të drejtat e tyre për autonomi kulturore, për të komunikuar në gjuhën e tyre amtare maqedonase, për të folur në gjuhën e tyre amtare maqedonase, për të kërcyer me këngët e tyre maqedonase, për të respektuar zakonet e tyre maqedonase. Pra, ata tani vetëm po kërkojnë mundësinë që OMO Ilinden Pirin të jetë një organizatë që do të përfaqësojë të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari. A është shumë kjo?” pyeti Mickoski.
Rexhepi: Si do të përcaktohet përfaqësimi i drejtë? Mickoski: Prioritet për punësim të jetë cilësia
Si do të përcaktohet përkatësia etnike në punësim me përfaqësim të drejtë, pyeti poashtu dje deputeti Skënder Rexhepi pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim sipas të cilit, siç theksoi, nuk do të ketë deklarim për përkatësinë etnike. Pyetjen ia drejtoi kryeministrit Hristijan Mickoski, duke thënë se me këtë nuk ekziston mënyrë për të përcaktuar gjendjen faktike se sa të punësuar ka nga komunitetet tjera etnike.
“Në lidhje me përfaqësimin e drejtë, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku nuk detyrohet qytetari të deklarohet sipas përkatësisë etnike, pra përkatësia etnike nuk figuron në asnjë dokument. Kështu, përkatësia etnike nuk përcaktohet askund, si ju si kryeministër, apo si ministrat dhe drejtorët përkatës, si do ta përcaktoni përkatësinë etnike të të punësuarve ku ju jeni përgjegjës”, tha Skender Rexhepi, deputet i LP-së.
Kryeministri Mickoski tha se nuk dëshiron të komentojë vendimet e Kushtetueses, por u përgjigj se në punësim kyçi do të jetë cilësia e kuadrove dhe jo përkatësia etnike, dhe i tërhoqi vëmendjen Rexhepit se vazhdimisht i etnizon pyetjet e tij. Ai gjithashtu theksoi se Ligji për përfaqësim të drejtë është gati dhe është vlerësuar pozitivisht edhe nga Komisioni i Venecias.
“Absolutisht mbahet parasysh përfaqësimi i drejtë, unë jam garant personal dhe e kam thënë këtë më parë. Absolutisht mund t’ju bind se cilësia e njerëzve, pa marrë parasysh nga cila përkatësi etnike vijnë, duhet të jetë kyçe dhe prioritet dhe kjo është praktikisht një vlerë themelore kushtetuese dhe pjesë e rezolutave dhe konventave ndërkombëtare”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Skender Rexhepi gjithashtu e ngriti pyetjen për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që janë kyçe për vazhdimin e rrugës evropiane. Për këtë, Mickoski u përgjigj se mbetet në qëndrimin e tij se deri sa të mos marrë garanci që nuk do të ketë bllokime të mëtejshme, që mohim i identitetit dhe gjuhës maqedonase të ndalet dhe që komuniteti maqedonas të marrë të drejtat në Bullgari, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese.

