Maqedoni

Qeveria do të ndërrojë makinat! Rreth 2 milion euro për huazimin e makinave të reja

Qeveria kontraktoi furnizimin e 45 automjeteve të reja luksoze të markës Pasat. Automobilat do të merren me qira për tre vite, ndërsa pas shfrytëzimit të tyre nga arka shtetërore do të shpenzohen diçka mbi një milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë euro. Përllogaritja thotë se për marrjen me qira të një automjet për tre vite do të shpenzohen thuajse 40 mijë euro. Automjetet e reja do të dedikohen për ministra qeveritare dhe për delegacione të huaja që vijnë në Maqedoni.

“Pas tre viteve automjetet duhet të kthehen në lizing kompaninë. Çdo muaj një automjet do ta kushtojë shtetin një mijë e njëqind euro, ose për të 45 automjetet e reja lizingu në nivel mujor do të kushtojë 49 500 euro”

Në kontratën mes Qeverisë dhe lizing kompanisë qëndron edhe se shuma që është kontraktuar për 36 muaj shfrytëzim të automjeteve nuk do të ndryshojë vetëm në rast se kilometrazhi i automobilave nuk kalon 120 mijë kilometra. Në të kundërtën për çdo kilometër të kaluar plus do të duhet të paguajë 7,85 denarë shtesë. Nga Qeveria për Alsat shprehen se kështu çmimi është më i leverdishëm.

“Bëjmë të ditur se mënyra e këtillë e furnizimit është zgjidhja më e volitshme meqë, përveçse për karburant, nuk ka kurrfarë shpenzim buxhetor në periudhën e shfrytëzimit të automjeteve. Lizingu operativ mbulon sigurimin kasko, servisin dhe pjesët rezerve që me ndonjë model ndryshe, do të binte në barrë të buxhetit shtetëror”, thonë nga Qeveria.

Ndërsa automjetet që tani janë duke u ndërruar për të reja janë furnizuar në vitin 2018. Edhe atëherë ishin furnizuar 45 automjete për shfrytëzim në tre vite. Kryeministri Zaev gjatë dhurimit të automjetit të ndihmës së shpejtë në nëntor të vitit të kaluar kishte thënë se ndonëse automjeti është i vjetër, është në rregull në aspektin teknik dhe mund t’u shërbejë qytetarëve edhe shumë dekada.

Automjeti është i vitit 2015, është tërësisht në gjendje të rregullt dhe me dekada do t’u shërbejë qytetarëve”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër (15.11.2020).

Ky furnizim i automjeteve luksoze për ministrat vjen në kohë kur Qeveria imponon taksë të re për qytetarët që e quajti taksë ekologjike dhe me të cilën çmimi i karburanteve do të rritet në mënyrë të përhershme për diçka më shumë se katër denarë.