Sot në mesnatë përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për prokuror të ri publik të shtetit, ndërsa deri më tani janë paraqitur katër kandidatë. Nga Parlamenti nuk zbulojnë detaje për të gjitha emrat, por është konfirmuar dorëzimi i kandidaturave nga gjyqtari Nenad Saveski dhe prokurorja publike Lidia Raiçeviq. Mes të paraqiturve përmendet edhe ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski, si dhe Mustafa Hajrullahi, ish-prokuror i lartë publik dhe avokat.

Prokurori i ri publik i shtetit duhet të ketë së paku 10 vjet përvojë pune. Secili nga kandidatët do të vlerësohet nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, i cili më pas do t’i dërgojë Qeverisë një listë me emra.

Qeveria do të zgjedhë një kandidat që do ta pasojë Lupço Kocevskin, i cili paraqiti dorëheqje të parevokueshme në të njëjtën ditë kur në Kuvend duhej të debatohej për shkarkimin e tij. Ai e ushtroi funksionin për më pak se dy vjet, pasi u zgjodh më 13 shkurt 2024.

Ndërkohë, ushtruese e detyrës së prokurores publike të shtetit është Anita Topolova Isajllovska.

sqShqip