Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka bërë homazhe sot te varri i Arbën Xhaferit, duke kujtuar ish-liderin e partisë me rastin e ditëlindjes së tij të 78-të. Thaçi vlerësoi figurën dhe kontributin e Arbën Xhaferit, duke theksuar se ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në politikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe më gjerë. Sipas tij, politika dhe vizioni i Xhaferit mbeten një udhërrëfyes i qartë për drejtimin që duhet të ndjekin shqiptarët.
Gjatë prononcimit për media, Thaçi komentoi edhe thirrjen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për bashkimin e partive shqiptare në kuadër të të ashtuquajturës Aleancë Kombëtare për Integrim. “Jam i shokuar nga prostitucioni politik i Ali Ahmetit. Ai po i serviloset Hristijan Mickoskit për t’u rikthyer në qeveri. Ahmeti është kanceri i politikës shqiptare në Maqedoni, tani edhe në bashkëpunim me Ziadinin dhe Taravarin. Kjo piskamë, kjo dhelpër që i digjet bishti dhe që quhet Ali Ahmeti, duhet të tërhiqet nga politika”, deklaroi Thaçi.
Ai shtoi se për BDI-në nuk ka më shpresë, pavarësisht deklaratave të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Nuk do të ketë zgjedhje. Aliu gënjen. Askush nuk i ka premtuar asgjë. Ai mendon se do të ketë një shpresë për BDI-në, por shpresë më nuk ka”, theksoi Thaçi.

