Maqedoni

Iseni për problemin e ujit në Tearcë: Disa banorë duan anarki

Ka ende shtëpi nëpër disa fshatra të Maqedonisë së Veriut të cilat nuk e kanë të instaluar sistemin e ujësjellësit. Të tilla ka edhe në Tearcë. Për këtë u pyet kryetari i kësaj komune Isen Asani. Por ai thotë se jo të gjithë banorët duan të lidhen në sistemin e ujësjellësit, sipas tij ata duan anarki.

“Vendbanimet që janë jashtë sistemit, ne kemi insistuar që të kyçen në sistem por ka pas mosmarrëveshje. Më së shumti që të mos hynë në sistem janë atë ata që duan anarki dhe këtë e them me plot përgjegjësi, me përgjegjësi të madhe”, tha Isen Asani.

Por ministri i ambientit jetësor Naser Nuredini thotë se Qeveria tash e di se cilat vendbanime kanë problem me ujësjellës dhe pohon se do të investojnë në ato komuna.

“Ne edhe dokumentacionet i kemi gati që të fillojmë me investimet tjera. Siç e dini ky është nga buxheti shtetit, por ne jemi në proces të marrim edhe huazim 15 milion euro nga Banka Evropiane për Investime dhe të investojmë në nevojat e përditshme, siç janë ujësjellësi dhe kanalizimi në shtetin tonë”, u shpreh Nuredini.

Në komunën e Tearcës fshatrat: Përshevca, Sllatina, Kllogja dhe Nerashti nuk janë të kyçura në sistemin e ujësjellësit të komunës. Shpeshherë banorët kanë probleme me ujin e pijshëm.
Në këtë komunë ka edhe shumë deponi të egra për të cilat TV21 ka raportuar. Nuredini dhe Asani thanë se rregullimi e deponisë Rusino do të zgjidhte çështjen e mbeturinave në këtë komunë.