(Tekst i përditësuar) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit në vendvotimet e rregullta të rinumërohen.

Vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur sot, pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore, pasi që në rinumërimin e pjesshëm janë evidentuar manipulime me vota në mes të kandidatëve të subjekteve politike.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi ka thënë se bazuar në raportin nga procesi i deritashëm i rinumërimit, për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuar janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë.

Për dallim nga votat për subjektet politike, ai ka thënë se të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, ka theksuar Radoniqi.

Ai ka thënë se ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi.

KQZ-ja më parë pati vendosur që në 10 komuna të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve. Këto ishin: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu.

Ndërkohë, në 28 komuna të tjera (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut), pati marrë vendim që të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve.

KQZ-ja shkarkon përfaqësuesit e subjekteve politike në KKZ-në në Prizren

Gjithashtu KQZ-ja ka vendosur për shkarkimin e përfaqësueseve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Nga rinumërimi i deritashëm Prizreni ka dalë komuna me mospërputhjet më të mëdha. Me rinumërimin e 98 për qind të kutive, rezulton se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët.

Përfituesi më i madh nga ky keqnumërim është kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi. Nga 14 mijë e 606 vota sa kishte para rinumërimit, atij i kanë mbetur 8 mijë e 596. Dallimi prej 6 e 10 votash nënkupton se më shumë se 40 për qind e votës së tij ishte rezultat i abuzimit gjatë numërimit.

Në Prizren, nga PDK-ja kanë përfituar edhe Nait Hasani me 3 mijë e 409 vota, Kujtim Gashi me 2 mijë e 360, Luljeta Veselaj-Gutaj me 2 mijë e 102 dhe Arianit Çollaku me 1 mijë e 684 vota të gjithë këta kandidatë nga kjo komunë. Nën një mijë vota kanë përfituar edhe Fadil Demaku e Enver Hoxhaj.

sqShqip