Në Klinikën Infektive në Shkup, si pasojë e gripit, ka ndërruar jetë një burrë 69-vjeç duke shënuar viktimën e dytë nga gripi këtë vit. Përveç gripit, pacienti ka pasur edhe sëmundje të tjera. Drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana tha se pacienti nuk ishte i vaksinuar kundër gripit stinor. Cana shpjegoi se pacienti ishte sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore me bronkopneumoni masive të zhvilluar. Ai ishte trajtuar në Repartin e Mjekimit Intensiv dhe ishte vendosur në ventilim mekanik. Simptomat tek ai kishin zgjatur pesë ditë para se të pranohej në spital.

“Te pacienti i cili ishte ne gjendje shumë të rëndë..3.13 u vendos në respirator. Për fat të keq edhe pas të gjitha masave të ndërmarra nga ekipi stafi mjekësor, fatkeqësisht mbaroi në mënyrë fatale. 03.35 Pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive me grip janë diku 30 pacientë nga të cilët disa kanë nevojë për mbështetje me oksigjen. Nga këto pacientë një është një gjendje të rëndë i cili është në aparat respirator. 4.05 Kryesisht moshë e vjetër, janë pacientë që kanë shumë komorbiditete dhe janë pacientë që nuk janë vaksinuar”, tha Fadil Cana, drejtor i Klinikës Infektive.

Sipas drejtorit Fadil Cana, fakti që shumica e pacientëve në gjendje kritike janë të pavaksinuar përbën shqetësimin kryesor për autoritetet. Sipas mjekëve, vaksinimi nuk është thjesht një procedurë administrative, por një domosdoshmëri jetike për grupet e rrezikuara, të cilët e kanë të vështirë ta përballojnë virusin vetëm me imunitetin e tyre të rënduar nga sëmundje të tjera.

“Këto dy raste të cilat mbaruan fatalisht edhe një herë tregojnë një alarm se prevenca është mënyra më e mirë. Të gjitha grup moshat të cilat gjenden në pjesën e moshave që duhet të vaksinohen, në grup moshat e rrezikut siç i quajmë ne ato duhet të vaksinohen kundër gripit. Në rast se te ata paraqiten simptoma të cilat janë me temperaturë të lartë, molisje dhe pacientë me simptoma të cilat janë të ngjashme me gripin duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore nga mjeku amë”, tha Fadil Cana, drejtor i Klinikës Infektive.

Deri më tani, mbi 79 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar mundësinë e vaksinimit falas. Megjithatë, me rritjen e numrit të rasteve me grip mjekët kujtojnë se çdo vonesë në vaksinim apo në kërkimin e ndihmës mjekësore mund të jetë me kosto të lartë për jetën. Brenda ditës, në Klinikën Infektive kryhen rreth 100 kontrolle të pacientëve me grip, nga të cilët, siç tha Cana, shumica janë raste ambulantore. Nga data 5 deri më 11 janar, në vend janë regjistruar 2,322 raste të të prekurve nga gripi apo sëmundje të ngjashme me gripin, që është 34,6% më shumë në krahasim me javën paraprake, kur kishte 1,725 raste. /Alsat.mk

sqShqip