BDI – Dega e Çairit përmes një komunikate ka reaguar ashpër ndaj situatës në Komunën e Çairit, duke ngritur pyetjen “Ku u zhdukën bagerët?” dhe duke akuzuar pushtetin lokal për ndaljen e projekteve menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve.
Në komunikatë thuhet se para zgjedhjeve Çairi ishte i rrethuar me bagerë dhe premtime për projekte madhore infrastrukturore, duke u krijuar qytetarëve përshtypja se po niste një periudhë zhvillimi me rrugë të reja, renovime shkollash, ashensorë për ndërtesat e vjetra dhe përmirësim të jetës së përditshme.
Sipas BDI-së, pas zgjedhjeve punimet janë ndalur plotësisht, ndërsa bagerët janë zhdukur nga terreni. Në vend të investimeve të premtuara, qytetarët po përballen me mungesë totale të projekteve konkrete dhe me rritje të ndërtimeve ilegale, pa procedura dhe pa kontroll institucional.
Në komunikatë përmendet edhe buxheti i Komunës së Çairit për vitin 2026, për të cilin thuhet se nuk përmban asnjë projekt zhvillimor që prek drejtpërdrejt interesin e qytetarëve, ndërsa parashikohen dhjetëra mijëra euro për shpenzime luksoze ushqimore për funksionarët komunalë.
BDI – Dega e Çairit vlerëson se Komuna nuk ka nevojë për shpenzime luksi, por për investime reale në infrastrukturë, arsim dhe rend urban, duke theksuar se qytetarët nuk kanë votuar për premtime elektorale afatshkurtra, por për projekte që vazhdojnë edhe pas përfundimit të fushatave zgjedhore.

