Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalimin e mbajtur para Kryeministrisë, i bëri thirrje qytetarëve që më 24 janar të bashkohen në një protestë të madhe, të cilën e cilësoi si një moment vendimtar për krijimin e një fronti të vërtetë opozitar.
Berisha u shpreh se viti 2026 do të jetë “viti i përmbysjes së diktaturave” dhe se populli shqiptar duhet të tregojë fuqinë e bashkimit dhe guximit për të sjellë ndryshimin.

Në fjalën e tij, ai tha se kreu i qeverisë po i poshtëron përditë shqiptarët duke u nxjerrë përpara zëvendës kryeministren e pandehur, Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “maskën e tij”. Kryedemokrati u shpreh se mesazhi më 24 janar duhet të jetë i qartë: të heqë dorë nga grushti i shtetit, referuar mbrojtjes që po i bën Rama Ballukut.

“Të dashur miq, opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare. Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin e tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar,” tha Berisha.

Ai ftoi qytetarët të bisedojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht bindjeve politike, dhe të dalin nga konformizmi për të ndërtuar një front të gjerë opozitar.

" "

“Këto ditë që na ndajnë janë jetike që secili prej nesh të ulet, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike. Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, të dalë nga konformizmi, sepse konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali,” u shpreh ai.

Berisha i bëri thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e idealeve të tyre dhe të marrin pjesë në protestë.

“Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha. Ndaj ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve,” tha ai.

Berisha e përshkroi protestën e 24 janarit si një akt shprese dhe fitorjeje, duke e krahasuar me lëvizjet opozitare në vende të tjera.

“Asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për të mbrojtur idealet e tij të lirisë. Dhe ne vijmë sepse besojmë në idealet tona të drejta, dhe se besojmë se këto ideale do triumfojnë së shpejti,” u shpreh kreu i PD-së.

sqShqip