Shkruan: Nefail Emini
Në shekullin XXI, luftërat më nuk po zhvillohen më vetëm për territore, por edhe për akull, minerale si dhe për korridoret detare. Kjo po pasqyrohet më së miri në “luftën” për Grenlandën, e cila po merr gjithnjë e më shumë rëndësi gjeopolitike dhe strategjike. Që nga fitorja e mandatit të dytë, Donald Trump ka shprehur hapur qëndrimin e tij se Grenlanda duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky qëndrim nuk përbën risi, pasi edhe gjatë mandatit të tij të parë ai kishte shfaqur interes për blerjen e ishullit, kërkesë kjo që u refuzua kategorikisht si nga Danimarka, ashtu edhe nga autoritetet e Grenlandës.
Trump nuk është presidenti i parë amerikan që ka shfaqur interes për Grenlandën. Pas Luftës së Dytë Botërore, presidenti i SHBA-së Harry Truman kishte ofruar 100 milionë dollarë për blerjen e ishullit, ofertë e cila u refuzua në mënyrë të ngjashme, ashtu si edhe iniciativa e tanishme e Trumpit. Së fundmi, emërimi nga ana e Trumpit i një të ngarkuari të posaçëm për Grenlandën shkaktoi reagime të ashpra politike në Kopenhagë dhe në vetë Grenlandën. Mundësia e ndërhyrjes ushtarake ka ngjallur frikë dhe panik të madhe në kontinentine vjeter, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi arsyet reale të interesimit amerikan. Kjo ngre pyetjen thelbësore: pse Grenlanda është kaq e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës? A bëhet fjalë vetëm për gjeopolitikë, apo pas këtij interesimi fshihen edhe dimensione të tjera strategjike, ekonomike dhe energjetike? Dhe, po ashtu, pse Kina është e interesuar për Grenlandën? Pozita strategjike si dhe pasuritë nëntokësore po e bëjnë Grenlandën aq të dëshirueshme për të gjithë dhe në të njejtën kohë po e shëndrroj ishullin në një arenë të fuqishme të përplasjeve gjeopolitike.

Ku gjendet Grenlanda?

Grenlanda është ishulli më i madh në botë, i vendosur midis Oqeanit Atlantik dhe Oqeanit Arktik, në lindje të Arktikut kanadez. Ajo ka një sipërfaqe prej 2.1 milionë kilometra katrorë, nga të cilat rreth 81% e territorit është i mbuluara me akull. Popullsia e saj është relativisht e vogël, me rreth 56 mijë banorë.
Politikisht, Grenlanda është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës. Me Aktin e Vetëqeverisjes të vitit 2009, asaj iu zgjeruan kompetencat dhe iu njoh e drejta për të shpallur pavarësinë përmes referendumit. Gjeografikisht, Grenlanda ka një shtrirje mbi 2600 kilometra nga jugu në veri dhe mbi 1.000 kilometra nga perëndimi në lindje, ndërsa gjatësia e saj bregdetare arrin në mbi 39.000 kilometra. Fqinjët më të afërt të Grenlandës janë Ishulli Ellesmere i Kanadasë, vetëm 26 kilometra larg në veri, Islanda rreth 321 kilometra në juglindje, si dhe Norvegjinë.

Rëndësia gjeopolitike e Grenlandës
Grenlanda ka një pozicion të jashtëzakonshëm strategjik, që e bën atë mjaft të lakmueshme për aktorët globalë në përpjekjet për kontroll ose ndikim gjeopolitik. Ishulli ndodhet në një trekëndësh shumë të fuqishëm strategjik që e lidh Rusinë, Evropën dhe Amerikën e Veriut.
Shekulli XXI po shënon rritje të konkurrencës gjeopolitike në të gjitha rajonet e botës dhe, pashmangshëm, kjo po reflektohet edhe në Grenlandë. Rivaliteti mes Rusisë dhe Kinës, në njërën anë, dhe Shteteve të Bashkuara së bashku me aleatët e tyre evropianë, në anën tjetër, po e shndërron Arktikun në një nga zonat më strategjike të shekullit XXI. Në këtë përplasje interesash, Grenlanda luan një rol qendror për shkak të pozitës së saj gjeografike unike. Ishulli ndodhet pranë rrugëve të reja të transportit detar që priten të hapën në Arktik: Kalimi Veriperëndimor përgjatë bregdetit të Kanadës, Kalimi Verilindor ose Rruga Detare Veriore përgjatë brigjeve të Rusisë, si dhe rruga e ardhshme Trans-Arktike, e cila pritet të kalojë përmes Oqeanit Arktik. Me vazhdimin e shkrirjes së akullit, këto rrugë pritet të shndërrohen në korridore kyçe të tregtisë globale, duke shkurtuar ndjeshëm distancat ndërmjet Oqeanit Atlantik dhe atij Paqësorë dhe duke sfiduar rolin tradicional që kanë pasur kanalet e Suezit dhe Panamasë si arterie kryesore tregtare por edhe ushtarake.

Nga këndvështrimi ushtarak, Grenlanda është thelbësore për sigurinë e NATO-s dhe të SHBA-së. Në territorin e saj ndodhet baza hapësinore amerikane Pituffik, një instalim kyç për paralajmërimin dhe mbrojtjen e hershme nga raketat balistike. Po ashtu, Grenlanda është pjesë e të ashtuquajturit “Boshllëk GIUK” (Grenlandë–Islandë–Mbretëri e Bashkuar), një zonë strategjike e luftës kundër nëndetëseve, e cila ka luajtur rol vendimtar gjatë Luftës së Ftohtë dhe mbetet ende kritike për monitorimin e lëvizjeve detare ruse në Atlantikun e Veriut dhe Arktik. Mundësia e ndërhyrjes ushtarake siç është një nga opsionet në tavolin në Shtëpinë e Bardhë do të shkaktonte tronditje të fuqishmë gjeopolitike e cila me shumë gjasë do të ishte fundi I Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Gjeopolitika e Arktikut

Arktiku mendohet se përmban rezerva të mëdha të naftës, gazit natyror, mineraleve dhe metaleve të rralla. Sipas përllogaritjeve në Artik gjend 13 % të totalit të naftës botërore të pa zbuluara si dhe 30 % të gazit natyror botërorë të pa zbuluar. Me shkrirjen e akullnajave, këto burime po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme, duke rritur ndjeshëm interesin e fuqive të mëdha globale. Përveç dimensionit ekonomik, rajoni ka edhe rëndësi të madhe ushtarake, pasi kontrolli, mbikëqyrja dhe parandalimi strategjik janë shndërruar në prioritete kyçe për SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe shtetet evropiane.

Përshkak të akullit dhe pamundësisë për tu shfrytëzuar në të kaluarën Arktiku ka qenë një zonë e bashkëpunimi ndërkombëtar. Megjithatë, ndryshimet klimatike dhe rivalitetet gjeopolitike po e ashpërsojnë konkurrencën në rajon. Kina, ndonëse nuk është shtet arktik, në bashkëpunim me Rusinë po rrit praninë dhe ndikimin e saj, duke shtuar më tej tensionet gjeopolitike.
Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 dëmtoi rëndë bashkëpunimin mes Rusisë dhe shteteve të tjera arktike. Ky zhvillim e nxiti Finlandën dhe Suedinë, të cilët tradicionalisht si shtete neutral gjatë gjithë Luftës së Ftohtë dhe pas saj, kërkuan që të anëtarësohen në NATO në vitet 2023 dhe 2024. Kjo ndryshoi hartën gjeopolitike të Artikut pasi që të gjithë shtetet e saj janë anëtare të NATO-s përveç Rusisë.

Interesat e Kinës në Grenlandë
Në vitet e fundit, Kina është përfshirë gjithnjë e më aktivisht në Grenlandë. Kjo është reflektuar edhe në qëndrimet zyrtare të Pekinit, veçanërisht pas shpalljes së projektit “Rruga Polare e Mëndafshit” në vitin 2017 dhe publikimit, në vitin 2018, të dokumentit të bardhë “Politika Arktike e Kinës”.
Kina ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë, Islandën dhe Grenlandën për të siguruar akses në Arktik, një zhvillim ky mjaft domethënës gjeopolitik, duke marrë parasysh faktin se Pekini nuk është shtet arktik dhe nuk ka asnjë dalje tokësore apo detare në këtë rajon. Interesi i Kinës për Grenlandën lidhet kryesisht me aspektet energjetike dhe transportin detar.

Sipas vlerësimeve, Grenlanda disponon rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi, të domosdoshme për industrinë kineze, ndërsa Pekini e sheh këtë si një mundësi për të diversifikuar burimet e tij energjetike. Duke qenë se pjesa më e madhe e mallrave kineze transportohen përmes rrugëve detare, shkrirja e akujve – e cila sipas parashikimeve mund ta bëjë Arktikun më të aksesueshëm deri rreth vitit 2030 – do të përbënte një mundësi të jashtëzakonshme për Kinën për të transportuar mallra drejt Evropës, duke ulur kohën e transportit me rreth 40% dhe duke reduktuar ndjeshëm kostot.

Pasuria nëntokësore e Grenlandës

Përveç rëndësisë së saj gjeopolitike, Grenlanda zotëron një pasuri të konsiderueshme nëntokësore. Shkrirja e akullit ka bërë që këto burime të dalin gjithnjë e më shumë në pah, duke tërhequr interesin e aktorëve ndërkombëtarë.

Sipas një raporti të vitit 2023 nga Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Grenlandës (GEUS), ishulli përmban nga 25 deri në 34 mineralet të rralla të identifikuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë depozita të mëdha grafiti, litiumi dhe elemente të rralla të tokës, thelbësore për teknologjitë e avancuara dhe tranzicionin energjetik. Ndërkohë, Benchmark Minerals Intelligence vlerëson se 43 nga 50 mineralet kritike për sigurinë kombëtare të SHBA-së gjenden në ishull. Në aspektin energjetik, vlerësohet se Grenlanda disponon ndërmjet 28 deri në 31 miliardë fuçi nafte dhe rreth 148 trilionë metra kub gaz natyror. Ajo është gjithashtu e pasur me uranium, me rezerva të vlerësuara rreth 32.800 tonë, veçanërisht në zonën Kvanefjeld (Kuannersuit) në jug të vendit, çka e rrit edhe më tej rëndësinë e saj strategjike dhe gjeopolitike.
Epoka e konkurrencës gjeopolitike, ekonomike dhe energjetike po intensifikohet gjithnjë e më shumë. Me shkrirjen e akujve dhe hapjen e rrugëve të reja detare, Grenlanda pritet të shndërrohet në një nga pikat kryesore të përplasjes së interesave të fuqive të mëdha globale. Paradoksalisht, ndërsa akulli po shkrihet në Grenland, rivalitetet gjeopolitike në rajon po bëhen gjithnjë e më të nxehta.

sqShqip