Nisim javën me një koordinim institucional për planifikimin e aksioneve të radhës në terren, ka njoftuar drejtori për i Ndërmarjes Parqet dhe Gjelbërimi, Muhamer Seferi.
Ai bëri të ditur se së bashku me ministrin e Ekologjisë, Muhamet Hoxha, kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kryetarin e Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, drejtorin e Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, si dhe këshilltarin e Qytetit të Shkupit, Zekerija Berisha, kanë zhvilluar një takim koordinues për planin e aksionit në periudhën vijuese, transmeton Zyrtare.
Sipas Seferit, pas festave puna do të vazhdojë në terren, ku në bashkëpunim me krerët e komunave të Qytetit të Shkupit do të realizohen aksione për pastrim, zbukurim dhe përmirësim të pamjes së komunave dhe vendbanimeve.
“Si drejtor për mirëmbajtjen e parqeve dhe gjelbërimit, do të angazhohemi maksimalisht, me të gjitha kapacitetet në dispozicion, për të dhënë më të mirën për qytetarët dhe për një mjedis më të pastër e më të bukur,” theksoi Seferi.

