Rreth 40 të punësuar si staf mjekësor dhe sanitar në Gjinekologjinë e Çairit mbeten pa kontrata pune! Ndonëse prej një dekade të angazhuar me kontrata në vepër në këtë spital, nga 31 dhjetori ata punojnë pa paga ngaqë u skaduan afatet ligjore.

“Do të insistojmë që këta persona që tani e 10 vite e më shumë janë abuzuar nga partitë politike si BDI e LSDM, duke i mbajtur peng dhe gjithë kohës t’i lejnë pa vendime të punës. Ne treguam si qeveri se qasja jonë do të jetë ndryshe duke investuar na kapacitet njerëzore me qëllim që të zhvillohet shëndetësia në përputhje me standardet Evropiane. Të gjitha institucionet në nivel shteti kanë bërë kërkesa për vazhdimin, disa prej tyre edhe për shtimin e kapaciteteve njerëzore, të tjerët për riorganizim të brendshëm në bazë të profileve”, theksoi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Por as Ministri Aliu nuk u garanton atyre vendime të përhershme apo kontrata me afat të pacaktuar. Tha se do të presin kërkesën e drejtorisë së spitalit se për sa kuadro ka nevojë për vendime dhe kjo do të varet edhe nga mjetet buxhetore, të parapara nga Fondi Shëndetësor dhe Ministria e Financave.

“Jo vetëm në Çair, por në çdo institucion shtetëror, në çdo klinikë, në çdo spital, ne kemi nevojë dhe do të vazhdojmë të punësojmë mjek dhe motra medicinale. Gjithashtu do të vazhdojmë me procesin e transformimit nga të punësuar me kontratë në vepër me kohë të caktuar në kontrata me kohë të pa caktuar, pasi që mendojmë se kështu do të investojmë në kapacitete njerëzore në shëndetësi. Pa mjek dhe motra medicinale kot e kemi infrastrukturën dhe teknologjitë nëse mantel bardhët nuk i kemi në përputhje me demografinë e shtetit”, u shpreh Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Nga drejtoria e Spitalit të Çairit thonë se me kohë për këta punonjës janë dërguar kërkesa zyrtare te institucionet kompetente për vazhdimin e angazhimit të tyre, duke theksuar se spitali ka nevojë reale për këtë staf dhe se mungesa e tyre ndikon drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Me situatë të ngjashme përballen edhe institucione të tjera shëndetësore në vend. Punësimet nuk janë bërë as në Spitalin e Tetovës, ndonëse nga Ministria e Financave thanë se pëlqimet janë bërë që verës.

Share

sqShqip