Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se do të takohet së shpejti me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për të biseduar lidhur me zgjedhjen e presidentit në fillim të vitit të ardhshëm.

Mungesa e mundshme e pajtueshmërisë për ta zgjedhur presidentin në prill, kur Osmanit i mbaron mandati, do ta çonte vendin sërish në zgjedhje të parakohshme, për herë të dytë brenda muajsh.

Duke folur në një ngjarje në Postën e Kosovës në Prishtinë, Kurti tha se “së shpejti do ta takoj presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë me të për rrugën përpara”.

Osmani e bëri të ditur synimin e saj për të garuar sërish për presidente në prill gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë më 29 dhjetor, por nuk është e qartë nëse ajo do ta gëzojë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e ardhshëm.

Por, para kësaj, vendi duhet ta bëjë Kuvendin e ri dhe do ta formojë një qeveri të re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të cilat i dhuruan Kurtit një fitore bindëse.

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit i fitoi 49.34 për qind të votave, sipas rezultateve preliminare, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës.

Dhe Kurti u shpreh i bindur të mërkurën se ai nuk do të ketë telashe në formimin e qeverisë së re.

“Rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë…bllokimet në konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë së re janë inekzistente”, tha Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ishin rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituonin Kuvendin deri më 10 tetor.

Kurti më pas nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e qeverisë.

Nëse partitë parlamentare nuk arrijnë ndonjë pajtueshmëri për çështjen e presidentit të ri, atëherë do të ketë sërish zgjedhje të parakohshme, dhe vendi do të zhytej edhe më thellë në krizë.

Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë dhe një kandidati i duhen të paktën 80 vota të deputetëve – nga 120 në përgjithësi – në rundin e parë.

Nëse nuk i siguron ato në rundin e parë dhe as në të dytin, i mjaftojnë të paktën 61 vota në rundin e tretë, por me një kuorum prej 80 deputetësh në sallë./REL

sqShqip