Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se autoblinda ushtarake “Shota”, e dizajnuar në Shqipëri, do të prodhohet edhe në Kosovë, në kuadër të një bashkëpunimi rajonal që synon përfshirjen edhe të Kroacisë. Krejt kjo do të bëhet në kuadër të aleancës ushtarake që u nënshkrua nga të tri vendet në mars të këtij viti.

Maqedonci ka thënë se palët janë pajtuar në parim për bashkëzhvillimin e automjetit të blinduar, ndërsa aktualisht janë në fazën e diskutimeve që pritet të finalizohen me një marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë, e cila më pas synohet të zgjerohet edhe me Kroacinë. Sipas tij, kjo do të ishte hera e parë në Ballkan që tri shtete bashkëprodhojnë një autoblindë ushtarake, e cila do të përdoret për nevojat e ushtrive respektive dhe për eksport.

“Do ta jap edhe një ekskluzive këtu. Jemi pajtuar në parim që të bashkëzhvillojmë ‘Shotën’, autoblindën që është dizajnuar në Shqipëri dhe do të prodhohet në Shqipëri e Kosovë. Jemi në fazën e diskutimeve, por do të konkludohet në një marrëveshje dypalëshe. Pse po presim për atë dokument? Pasi synojmë ta përfshijmë edhe Kroacinë dhe për herë të parë në Ballkan tri vende të bashkëprodhojnë automjet të blinduar ushtarak, i cili do të përdoret për nevojat e tri ushtrive dhe për eksport. Në bisedimet fillestare jemi dakorduar që një pjesë të prodhohet në Kosovë, një në Shqipëri e një në Kroaci”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Maqedonci ka bërë të ditur se Shqipëria ka marrë para pak ditësh raketat “Javelin” pasi ka nënshkruar kontratën një vit më herët ndërsa Kosova po synon që vitin e ardhshëm të sigurojë një sasi nga kontingjenti i porositur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri në detyrë theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka rritur ndjeshëm kapacitetet ushtarake, duke shkuar përtej Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të vitit 2018. Sipas tij, FSK-ja tashmë ka mbi 23 lloje armatimesh më shumë sesa parashihej me atë plan, ndërsa blerjet reale kanë nisur vetëm pas vitit 2021, kur erdhi në qeveri Lëvizja Vetëvendosje.

Maqedonci ka shtuar se Kosova tashmë disponon edhe sisteme anti-dron dhe po shqyrton mundësinë e rritjes së mëtejshme të këtyre kapaciteteve. Ai shtoi se gjatë vitit të ardhshëm pritet të nisin prokurimet finale për përmbushjen e plotë të operacionalitetit të ushtrisë, përfshirë sistemet kundërajrore dhe flotën e helikopterëve.

“Jemi në bisedime me Pentagonin për sigurimin e helikopterëve ‘Blackhawk’”, ka thënë Maqedonci, duke theksuar se partnerët kryesorë të Kosovës në aspektin e blerjeve ushtarake janë SHBA-ja dhe Turqia, ndërsa bashkëpunimi është zgjeruar edhe me Gjermaninë, Italinë, Britaninë e Madhe, Kroacinë dhe Çekinë.

Tutje, Maqedonci ka thënë se sipas planit, FSK-ja duhet të ketë pesë mijë pjesëtarë aktivë në vitin 2028 dhe aktualisht 4.460 janë pjesëtarë aktivë.

“Jemi 90% në përmbushje të planit në këtë aspekt. Ka pasur largime çdo vit nga FSK-ja. Dy arsye janë: pensionimi dhe të rinjtë që në shumë raste po bëhen shënjestër e kompanive private për shkak të njohurive që po marrin në Forcën e Sigurisë”, përfundoi ai.

sqShqip