Në vend të një viti e gjysmë burg, sa u kishte shqiptuar Gjykata Themelore në Tetovë, dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës tani do të vuajnë nga tre vjet burg secili. Gjykata e Apelit në Gostivar ka marrë vendim meritor me të cilin ua ka dyfishuar dënimet me burg ish-drejtorëve të Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, në lidhje me zjarrin në spitalin modular, ku humbën jetën 14 persona.
Me aktgjykimin e shkallës së parë, të shpallur nga Gjykata Themelore në Tetovë në muajin maj, të dy ish-drejtorët ishin dënuar me nga një vit e gjysmë burg. Duke vendosur mbi ankesat e tyre, si dhe mbi ankesat e Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë, gjykata e shkallës së dytë në Gostivar ka sjellë aktgjykim me të cilin ua ka rritur dënimet në nga tre vjet burg.
Seanca publike në të cilën janë shqyrtuar ankesat është mbajtur më 26 nëntor dhe po atë ditë është marrë edhe aktgjykimi, i cili është ndryshuar vetëm në pjesën e dënimeve. Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit, është shqiptuar edhe një dënim më i lartë financiar prej 300.000 denarësh për Spitalin Klinik të Tetovës, i cili, në vend të një milion denarëve sa kishte vendosur Gjykata Themelore në Tetovë, tani si person juridik i përfshirë në procedurë duhet të paguajë 1.3 milion denarë.

