Kërkimet për 9-vjeçaren Melody Buzzard, e cila ishte zhdukur së bashku me nënën e saj në fillim të tetorit, kanë përfunduar tragjikisht. Autoritetet amerikane konfirmuan se trupi i vajzës u gjet i pajetë në shtetin e Utah, rreth dy muaj pas zhdukjes.

Sipas policisë, Melody, e cila jetonte në Kaliforni, dyshohet se u vra nga nëna e saj pak kohë pasi u pa për herë të fundit më 9 tetor. Sherifi i Qarkut Santa Barbara, Bill Brown, e cilësoi ngjarjen si “të paramenduar dhe jashtëzakonisht të rëndë”, duke theksuar se raste të tilla janë të rralla dhe të vështira për t’u kuptuar. Alarmi u ngrit pasi stafi i shkollës së Melody raportoi mungesën e saj për një periudhë të gjatë. Hetimet zbuluan se nëna dhe vajza ishin nisur papritur për një udhëtim me makinë më 7 tetor. Pamjet e kamerave të sigurisë në një kompani qiraje makinash treguan se të dyja mbanin paruke, një detaj që ngjalli menjëherë dyshime.

Gjatë udhëtimit, ato kaluan në disa shtete, përfshirë Kaliforninë, Nevadën, Arizonën, Utah, Wyoming dhe Nebraskën. Autoritetet thanë se targa e makinës me qira u ndërrua përkohësisht me një targë të Nju Jorkut dhe se automjeti ishte pozicionuar në mënyra të pazakonta në pikat e karburantit, me qëllim shmangien e kamerave të sigurisë.
Motivi i dyshuar i nënës mbetet ende i paqartë, pasi ajo nuk ka bashkëpunuar me autoritetet. Hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë.

sqShqip