Thuhet: identiteti kosovar (e kur thuhet kosovar mendohet në identitet kombëtar) ka filluar të krijohet që nga viti 1912! Pse dhe si ka filluar të krijohet ky identitet që nga ai vit ende nuk janë dëgjuar shpjegime! Po kështu do të mund të thuhej, fjala vjen, se edhe identiteti çam, identiteti lab, identiteti myzeqar, identiteti mirditas kanë filluar të krijohen prej atij viti apo prej ndonjë viti tjetër! Në qoftë se, megjithatë, do të pranohej se identiteti kombëtar kosovar ka filluar të krijohet që nga viti 1912 dhe në qoftë se ky identitet i ri kombëtar konsiderohet dhuratë për popullin shqiptar të Kosovës, atëherë del se Serbia qenka e merituar pse në vitin 1912 e ka pushtuar Kosovën! Pa pushtimin e saj Kosova nuk do të ndahej prej Shqipërisë, do të mbetej çka ka qenë me shekuj – krahinë e Shqipërisë, prandaj edhe nuk do të mund të krijonte identitet të ri kombëtar! Shtrirja e këtyre e rrënjëve të identitetit të ri kombëtar të Kosovës deri në vitin 1912 e bën, ndërkaq, të merituar Serbinë pushtuese edhe pse janë krijuar kombi maqedon dhe kombi mysliman!
Harrohet kur gjykohet ashtu se prej vitit 1912 e deri sot pjesa larg më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës ka bërë sakrifica të mëdha për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar e jo për të krijuar farë identiteti të veçantë kombëtar kosovar, ka bërë përpjekje për t’iu kthyer Shqipërisë e jo për t’u larguar sa më shumë prej saj.
Përpjekjet, sakrificat për mëvetësinë, për pavarësinë e Kosovës në të vërtetë janë bërë për të ruajtur identitetin historik shqiptar si identitet gjithëshqiptar.

Thuhet: identiteti kosovar në të vërtetë është identitet mbikombëtar, jo shumëkombëtar, diçka si identiteti evropian, apo identiteti amerikan, apo si identiteti, tashmë i shpërbërë, sovjetik! Harrohet se identitetet e numrit më të madh të shteteve në këtë botë përcaktohen prej kombeve më të mëdha, në të vërtetë prej kombeve që janë bërë krijuese të tyre e jo prej pakicave që jetojnë në to.
Thuhet: shteti cakton identitetin, prandaj edhe identiteti i kosovarëve do të jetë i caktuar prej shtetit të Kosovës! Po ta përimtojmë kujdesshëm gjykimin e këtillë na del se shteti po krijoka popullin dhe kombin e jo populli dhe kombi shtetin.
Thuhet: koha e krijimit të shteteve kombëtare ka kaluar që moti. Harrohet se Izraelin – shtetin kombëtar të hebrenjve, e kanë krijuar një shtet shumetnik – SHBA-të dhe dy shtete kombëtare shtim e sipër. Dhe, janë në shtim e sipër, në radhë të parë, në sajë të nxitjeve dhe, kur e kur, ndihmave që iu vijnë qoftë prej disa institucioneve politike e shkencore vendore, qoftë prej disa individëve a institucioneve politike ndërkombëtare.

Arsyetimet për krijimin e identitetit të ri kombëtar në Kosovë herët më të shpeshta bëhen me të dhëna politike, por, kohë pas kohe, në media apo në tubime të ndryshme, mund të bëhen edhe me të dhëna historike dhe teorike. Qëndrueshmëria apo mosqëndrueshmëria e këtyre të dhënave nuk është aq e rëndësishme për ithtarët e identitetit të ri kombëtar: e rëndësishme është të krijohet disponim për këtë identitet.
Nuk është e vështirë që të vërehet se në mendimet për identitetin e ri kombëtar kosovar tani për tani zotëron tollovi logjike. E kuptueshme. Është e vështirë, në mos edhe e pamundur, ta bësh të logjikshëm, të bindshëm, të arsyetuar dhe të arsyeshëm mendimin për diçka të shtirë, të shpikur, për diçka të paqenë të bërë prej diçkaje që tashmë është, por me përmbajtje, veçori, identitet më të gjerë. Domethënë është e vështirë, në mos e pamundur, të bësh identitet tjetër kombëtar prej identitetit historik ekzistues kombëtar shqiptar.
Si duken arsyetimet e identitetit të ri?
Vijon nesër…!

sqShqip