Prof. Etem Xheladini

Në kohën kur të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të largohen nga trojet për një jetë më të mirë në Perëndim, historia e Betim Xheladinit nga Kumanova frymëzon për të kundërtën.
Pasi kaloi shtatë vite në Friburg të Zvicrës, ku nisi të punojë që në moshën 18-vjeçare si pastrues në një stacion trenash, Betimi vendosi të rikthehej në vendlindje. Arsyeja? Një ëndërr e kahmotshme: të bëhet mjek stomatolog dhe të kontribuojë aty ku u rrit.
Pas përfundimit të vitit të tretë në shkollën e mesme të mjekësisë, ai e kishte lënë shkollën pezull për të emigruar. Por fjalët e kujdestares së tij, profesoreshës së farmacisë Valbona Beluli Xheladini, që e kishte këshilluar të mos e braktiste arsimin, mbetën të pashlyera.
Me kursimet e mbledhura me shumë mund dhe me ndihmën e prindit Ejup Xheladini, e nga familja, ai u kthye në Kumanovë së bashku me bashkëshorten e tij, Artën.
Atje, përmes ndihmës së dajës së tij, mjekut stomatolog Ridvan Asani, ai u regjistrua në Fakultetin e Stomatologjisë në Shkup.
Sot, ai ka përfunduar me sukses vitin e parë dhe është më i motivuar se kurrë për të ndërtuar një të ardhme profesionale në vendin e tij, duke ndjekur shembullin e axhës së tij, intelektualit dhe edukatorit të njohur, prof. Etem Xheladini.
Historia e Betim Xheladinit është një shembull për të rinjtë e diasporës dhe të vendit: kthimi është i mundur, dhe suksesi në vendlindje nuk është më një ëndërr e paarritshme.

sqShqip