Maqedoni

Bullgarët e Maqedonisë i dërgojnë letër Sofjes dhe Brukselit: “Negociatat midis Shkupit dhe Sofjes përfunduan në vitin 2022”

Bullgarët të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut sot kanë dërguar një letër udhëheqësve në RMV, Bullgari si dhe përfaqësuesve të BE-së.

“Bullgarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut duan që zëri i tyre të dëgjohet. Mos lejoni që komuniteti bullgar në vendin tonë të bëhet peng i manipulimeve dhe pazareve politike. Negociatat mes vendit tonë dhe Bullgarisë përfunduan në vitin 2022”, thuhet në letrën e përfaqësuesve të organizatave joqeveritare bullgare në RMV drejtuar autoriteteve të vendet tonë, por edhe përfaqësuesve të BE-së, përcjell “BGNES”.

Në të, nënshkruesit thirren “të mos lejojnë komunitetin bullgar në RMV të bëhet peng i manipulimeve dhe pazareve politike”.

“Negociatat mes vendit tonë dhe Bullgarisë përfunduan në vitin 2022. Detyrimet e marra nga RMV janë tashmë të përcaktuara qartë dhe janë pjesë e kornizës për negociata. Siç e dinë të gjithë, Maqedonia e Veriut duhet të na përfshijë në Kushtetutën e vendit për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Ne nuk mund të pranojmë që përfshirja jonë në Kushtetutën e RMV-së të cilësohet si “shantazh”, “diktim” apo “pengesë” për të ardhmen evropiane të vendit. As nuk mund të pajtohemi me idenë se të drejtat tona të barabarta, së bashku me ato të seksioneve të tjera të popujve të përfshirë në Kushtetutë, duhet t’i nënshtrohen “veprimit të shtyrë”. Ne kemi përjetuar mjaft vonesa në luftën tonë për barazi”, thuhet në letër.

Letra i është dërguar kryeministrit Hristijan Mickoski, presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, kryeparlamentarit Afrim Gashi, por edhe presidentit bullgar Rumen Radevit dhe kryeministrit bullgar Dimitar Gllavçev, si dhe zyrtarëve të BE-së si Ursula Von Der Leyen, Charles Michel dhe Roberta Mezzola.