Sport

Maqedonia humbi edhe nga Ukraina, golin e vetëm e shënoi futbollisti shqiptar Ezgjan Aliovski

Humb Maqedonia e Veriut
June 17, 2021
Facebook Twitter

Ezgjan Alioski u bë shqiptari i parë që shënon gol në Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Humbja nga Ukraina ia shuan shpresat Maqedonisë së Veriut për kualifikim në fazën tjetër

Maqedonia e Veriut e ka pësuar humbjen e dytë në “Euro 2020”.

Fqinjët tanë u mposhtën nga Ukraina me rezultat 1:2, në ndeshjen e vlefshme për Grupin C.

Katër futbollistë shqiptarë janë paraqitur nga minuta e parë.
Reklamë

Bëhet fjalë për Visar Musliun, Arijan Ademin, Ezgjan Alioskin dhe Enis Bardhin.

Kurse, Egzon Bejtullai dhe Ferhan Hasani kanë përfunduar në bankinë, shkruan Gazeta Express.

Alioski megjithatë u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon gol në këtë Evropian.

Futbollisti i krahut të majtë fillimisht e humbi penalltinë në minutën e 57-të, por topin e kthyer e plasoi në rrjetë.

Paraprakisht, ukrainasit kishin shënuar dy herë.

Ata i kaloi në epërsi Andriy Yarmolenko në minutën e 29-të pasi e mori një top nga Alexander Karavaev.

Kurse, golin e dytë për ekipin e Andriy Shevchenkos e realizoi Roman Yaremchuk në minutën e 34-t, me asistimin e Yarmolenkos.

Ukrainasit e humbën penalltinë në minutat e fundit.

Portieri Dimitrievski e priti penalltinë e Ruslan Malinovskyt në minutën e 84-t.

Maqedonisë së Veriut me këtë rast iu shuan thuajse krejt shpresat për ta kaluar fazën e grupeve pasi e pësoi humbjen e dytë, pas asaj nga Austria.

Ndeshjen e tretë, Enis Bardhi me shokë do ta zhvillojnë me Holandën.

Kurse, Ukraina mbetet në lojë për kualifikim pas kësaj fitoreje, e cila vjen pas humbjes nga Holanda. /Gazeta Express/