May 3, 2024
Kulturë

Poetja që i kushton vargje poezisë! Përmbledhje poetike nga Sadbere Gagica Spahija

ÇDO NATË

Flas me poezinë time
Lodhur në stinë vargjesh
Ta prek fjalën time me zjarr
Një ëndërr të bukur për Ty Flamur
Lirikën time ta prek sonte me mall
Çdo natë jam pranë bregut tënd
Që më djeg si qiriun e Naimit
Udha ime e dashurisë u bë
Si baladë kujtimesh prtitjesh
E pafund qenka nata sonte
Në sytë e mi të përlotur
Qiell me yje në atdheun tim
Çdo natë vij në prehërin tënd
Të m’i ledhatosh flokët e thinjura
Me butësinë e ëndrrave të përhitura
E bukura poezi!

@Sadbere Gagica Spahija

Sadbere Gagica SPAHIJA

POETËVE

Gezuar Diten Boterore te poezise

Gjithandej ku i zë nata
Mbi vargje
Tek kërkojnë foletë me ëndrra
Fjalët për tokën e lindjes
Kujtimet e hajthme të stinëve
Dromcat e vogla të dashurisë
Pritjet nëpër stacione të strofave
Rrokullisjet nëpër fjalët e pathëna
Poetëve
Sonte luftoj me djallin
Që do të hyjë si hajn
Derën ia kam mbyllur me kohë
Hullive të arave me kallinj
Tek jargisej në mesnatë
Buzë dritares sime
Neveritshëm sillej udhëve
Me fanarë të fikur
E sytë
Ende i kam të përlotur
Tek endem nëpër kthina mërgimesh
Malli më është veshur nëpër ëndrra
Të gjej orët e mia
Strofat pa asnjë rimë
Derdhur
Si lumë luginës sime të zemerimit!…

Sadbere Gagica Spahija

AI

(Skënderbeut)

Plis shekulli në gjeografinë e Kombit
Shpatën në dorë flamurin në shpirt
Dridhi një Perandori Otomane
Në malet e Atdheut u bë Shqiponjë
Mbi hordhitë turke vuri zjarr
Vjeshtë e pranverë e mprehu
Shpatën e tij të rëndë
Plis shekulli Atdhe i madhi Skënderbe!

SA E MËRZITUR JAM
Kur më merr malli për Ty
Futem në zgafellën e mërzisë
Sa larg kam tretur sa larg të kam
Fati im në bishit të sorrës?
Sot (s) kam frikë nga dashuria
Nuk di pse më rëndon kjo fjalë
Kur mbi kokë me rri ky qiell
A ndoshta kam harruar puthjet e stinëve
Më duket se po shkel mbi mall plot me prush
Një zog m’i ka hapur krahët unë vendnumroj
Ec më shtyn një zë nga brenda mos u ndal
Një ditë ndodh çudia lumnitë nisin aty
Vargoj lidhen shkronjat zemra merr puls të ri
Sa e mërzitur jam sot Zot më ndihmo
Ta kaloj këtë urë mendimesh ëndrrat më torturojnë
Do vij stinën e ta puth mu në buzë
Lë të digjet Troja…unë jam Helena vetë
Do vij…më prit agimi im i bardhë
Të strukem në gjiun e vargut të ri
Kur (s) më merr malli për TY…
Digjem nga kjo vetmi…e huaj mes shkretëtirës
Fashehur pas shpinës së bjeshkëve
Udhët këtu nuk flasin Shqip as plis shekujsh nuk shoh
Natën më zë ankthi…përse jetoj këtu?
Do vij…veç sa jam nisur
Të gjitha do i lë këtu….vitet stinët..do vij
Sa e merzitur jam…….