May 3, 2024
Rajon - Botë

7 palestinezë të tjerë të vrarë nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, shifra totale shkon në 72

Shtatë palestinezë, duke përfshirë dy adoleshentë, u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor, duke e çuar numrin e të vdekurve në territorin e pushtuar që nga 7 tetori në 72, tha sot Ministria palestineze e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, ministria tha se një palestinez 16-vjeçar u qëllua në kokë në Tulkarm, ndërsa një 32-vjeçar u qëllua në gjoks në qytezën Budrus në perëndim të Ramallahut.

Ministria tha se edhe një palestinez 17-vjeçar humbi jetën nga një plumb në kokë në kampin e refugjatëve Dheisheh në Betlehem.

Katër palestinezë u vranë gjithashtu në një sulm ushtarak izraelit në kampin e refugjatëve Nur Shams në Tulkarm, thuhet në deklaratë.

Sipas dëshmitarëve, një dron izraelit goditi një zonë brenda kampit.

Vdekjet e fundit e çuan në 72 numrin e palestinezëve të vrarë nga të shtënat izraelite në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.

Tensionet janë përshkallëzuar në të gjitha territoret palestineze si rezultat i sulmeve masive ajrore izraelite në Rripin e Gazës pas një operacioni ndërkufitar të grupit palestinez Hamas në qytetet kufitare izraelite më 7 tetor.

Të paktën 3.785 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.