May 14, 2024

Mehmet Hajrizi

1.
Pothuajse tërë familja e Mehmet Malajt persekutohej dhe arrestohej, por kur ia dërguan në burg nusen e birit të tij, Rexhinë, e përjetoi rëndë, për më tepër që i shoqi i saj, Hasani ishte në mërgim për shkak të ndjekjes policore. Ndodhte që shumica e anëtarëve të familjes së Mehmetit të ishin në burg, madje edhe fëmijët.
Nipçen e Mehmetit, Muminin (të cilin e kishte pagëzuar vetë me këtë emër, në nderim të Mumin Jakupit, intelektual i shquar nga Gjilani) e morën nga ora e mësimit dy udbashë, kur ai ishte vetëm 12 vjeç, në klasën e pestë të fillores. E dërguan në organet e hetuesisë, duke e mbajtur deri në orët e vona të mbrëmjes. Kur u kthye Mumini i vogël në shtëpi dhe i tregoi gjyshit arsyen e vonesës, ky qetësisht i dha kurajë: “Hajt babës se edhe ti ke hy në renin e burrave.”

2.
Gjatë arrestimit tim të parë, më 21 dhjetor 1979, përveç meje dhe bashkëveprimtarit tim, Gani Sylaj, i morën në burg vëllezërit e mi, Bahtirin dhe Zeqirin, ish i burgosur i Goli Otokut, por edhe të birin e tij Fadilin, po ashtu 12 vjeç.
Kur na dërguan në Sekretariatin e Punëve të Brendshme, tek po ngjitnim shkallët, Zeqiri, duke e ditur se do të na ndanin nëpër dhoma të hetuesisë, për ta përgatitur dhe qetësuar të birin, ia rrahu shpatullat duke i thënë: „Eh Fadil he burrë!“
Njëri nga policët e shumtë që po na grahnin si bagëtinë përpara, u hakërrua: „E ke të ndaluar të flasësh, mos të shkojë mendja ta hapësh gojën edhe njëherë!“ Fadili nuk foli asnjë fjalë, por Zeqiri ia ktheu policit: „Keni marrë një fëmijë para gjumit, ta terrorizoni!“

3.
Sa fëmijë shqiptarë ka arrestuar regjimi pushtues? Nuk kam të dhëna të sakta, por dihet që vetëm gjatë viteve 1981-1990 në Kosovë policia dhe ushtria jugosllave kanë vrarë 16 fëmijë, kurse sipas statistikave, gjatë luftës jo më pak se 1133 fëmijë janë vrarë, madje edhe foshnje me biberon në gojë.