KShZ, kandidatë për deputetë, 17 parti dhe koalicione
17 parti dhe koalicione kanë parashtruar lista të kandidatëve për deputetë, 13 prej të cilave do të garojnë në të gjitha njësitë zgjedhore. Nga KShZ-ja bëjnë të ditur se lista për të garuar në të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore kanë dorëzuar:
- 1. Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI;
- 2. Koalicioni VLEN i opozitës shqiptare;
- 3. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM;
- 4. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE;
- 5. Koalicioni “E Di – Për Maqedoninë tonë”;
- 6. Partia politike “Atdheu”;
- 7. Partia e punëtorëve;
- 8. Koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë”;
- 9. Epoka maqedonase – Sovranistët e tretë;
- 10. E Majta;
- 11. Partia Politike “Demokratët”;
- 12. Partia Politike “Maqedonia e Vetme”;
- 13. Partia Politike E Djathta;
Në bllokun shqiptar Lëvizja Qytetare e Gjyla Çelikut do të garojë vetëm në njësinë e gjashtë zgjedhore. Ndërsa lista të kandidatëve për deputetë kanë dorëzuar edhe partia politike “Kaq mjafton!”, e cila do të garojë në njësinë e tretë, katërt, pestë dhe gjashtë zgjedhore. Partia politike “Partia jote” do të garojë në njësinë e parë, të dytë, të tretë dhe njësinë e katërt zgjedhore. Partia “Alternativa e re” ka parashtruar lista të kandidatëve në njësinë e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt zgjedhore. Sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, partitë politike dhe koalicionet të cilat kanë kandidat për president në fletëvotime do të kenë numrin e njëjtë edhe për zgjedhjet presidenciale edhe për ato parlamentare. Ndërsa për partitë dhe koalicionet tjera do të ketë short plotësues në KShZ. Për zgjedhjet parlamentare të drejtë vote do të kenë një milion e 815 mijë e 350 votues, ndërsa për ato presidenciale një milion e 814 mijë e 317 votues.
Siç është bërë e ditur rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë i presidencialeve dhe zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj. Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill dhe përfundon më 22 prill, derisa për zgjedhjet parlamentare, fushata fillon më 18 prill dhe përfundon më 6 maj. Garës për president i janë futur 7 kandidatë.
- 1. Bujar Osmani nga “Fronti Evropian”;
- 2. Arben Taravari nga Koalicioni VLEN;
- 3. Stevo Pendarovski nga LSDM;
- 4. Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE;
- 5. Maksim Dimitrievski nga Koalicioni “E Di”;
- 6. Biljana Vankovska – E Majta;
- 7. Stevçe Jakimovski – Koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë”;
Duke përmbushur obligimet ligjore të Servisit Publik, TVM2 nëpërmjet edicioneve informative dhe debateve, do të bëjë mbulimin mediatik të procesit zgjedhor, sipas rregullativës zgjedhore. TVM2 do të sigurojë mbulim të procesit zgjedhor në mënyrë të balancuar, të drejtë e të paanshëm, në të gjithë programin e tij, duke mundësuar kushte të njëjta për qasje të barabartë, për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, informon TVM2.