May 3, 2024
Lajmet e reja

Takimi ministror i NATO-s, ndihma ndaj Ukrainës, temë kryesore

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në takim dyditor për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të aleancës veriatlantike, si dhe për t’u përgatitur për samitin e Uashingtonit në korrik. Ndihma ndaj Ukrainës dhe siguria janë ndër temat kryesore në agjendën e Brukselit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, përshëndet përpjekjet e aleatëve për ta ndihmuar Ukrainën në fusha të ndryshme, duke paralajmëruar se çdo vonesë në mbështetje ka pasoja në fushën e betejës.
“Evropa tani po përballet me luftë të një shkalle që menduam se i është dorëzuar historisë. Rusia vazhdon të bëjë presion përgjatë vijës së frontit. Ne duhet të qëndrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe unë mirëpres atë që aleatët  vazhdojnë të bëjnë dërgesa të mëdha të armëve municioneve dhe pajisjeve.”, – deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Vendosmëria e vendit tonë për të mbështetur Ukrainën mbetet e paluhatur, tha në takim ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Për t’u përforcuar siguria kolektive, ai shton  patjetërsimin e ngritjes së angazhimit të proceseve integruese. Kryediplomati i vendit potencon rritjen e investimeve në mbrojtje në 2.15% të PBB-së deri në vitin 2025.
“Sfidat kanë implikime më të gjera. Ukraina është vetëm një pjesë e planit imperial të Rusisë e që i kërcënohet edhe Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ballkanit Perëndimor. Për këtë paraqitet nevoja e sinkronizimit të planit mes NATO-s dhe Unionit Evropian duke theksuar urgjencën e përshpejtimit të integrimit evropian dhe euroatlantik për të ruajtur sigurinë kolektive.”, – theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, informon TVM2.
Të enjten ministrat e jashtëm takohen me partnerët e Bashkimit Evropian dhe ata të Indo-Paqësorit, ku do të bisedojnë për terrorizmin, sulmet kibernetike dhe kërcënimet tjera.