Zyrtare: Osmani e ndryshon datën për zgjedhjet në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po mban takim takim me partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
17:16 – Quint-i reagon pas caktimit të datës së re për zgjedhjet në veri
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së/PSBE-ja në Kosovë, kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetar komunash në katër komunat veriore në këtë kohë.
“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e Quint-it.
Ndryshe nga vetë presidentja Vjosa Osmani e cila në konferencën për media pas takimit konsultativ me partitë politike nuk dha datë për zgjedhjet në veri, Presidenca përmes një njoftimi për media pas këtij adresimi, njoftoi se data e re është caktuar 23 prilli. /Klankosova.tv
17:09 – Osmani e cakton 23 prillin për zgjedhjet në veri
Presidentja e Kosovës, në konferencën për media pas takimit me partitë politike nuk përmendi datë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore. Mirëpo datën e dha zyra për informim e Presidencës përmes një komunikate për media pas adresimit të Vjosa Osmanit.
Në njoftim, thuhet se presidentja, pas “konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit”.
“Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit”, thuhet tutje në njoftim, raporton Klankosova.tv.
Vendimi i Presidentes, thotë njoftimi, udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re. /Klankosova.tv
16:54 – Deklarata e presidentes pas takimit me partitë politike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit konsultativ që e pati me partitë politike.
Osmani njoftoi se kanë rënë dakord të shtyhen zgjedhjet në katër komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, derisa nuk e dha një datë të caktuar.
Ajo tha se ka pranuar raport nga institucionet e sigurisë dhe KQZ-ja në lidhje me vlerësimin e situatës për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë pjesë të vendit.
“Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në përputhje me detyrat e mia kushtetuese dhe në konsultim me partitë politike kemi caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Ashtu siç edhe i kam njoftuar partitë politike në ato takime paraprake jemi dakorduar që të përcillet situata e sigurisë dhe të takohemi sërish në varësi prej situatës të vlerësojmë se a do të mbahen zgjedhjet. Kam kërkuar raport nga KQZ-ja për vlerësim të nivelit të rrezikshmërisë”, ka thënë Osmani në konferencën për medie, njofton Klankosova.tv.
“Propozimi im në këtë takim ishte që të shtyhen zgjedhjet për kryetarë komunash, diskuam për datën më të përshtatshme dhe erdhëm në konkluzion që të shtyhen për në prill 2023, e data e saktë kumtohet më vonë sonte, ose eventualisht nesër”.
Ajo njoftoi se në zgjedhjet e 18 dhjetorit, nuk do të mund të merrnin pjesë vëzhgues ndërkombëtarë.
“Kam pasur kontakt edhe me BE-në, ata kanë thënë që s’mund të marrin pjesë për shkak të kohës së kufizuar. Këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar”, ka shtuar Osmani.
Ajo foli edhe për situatën e sotme në veri, ku tha se grupet kriminale atje kanë për qëllim destabilizimin e vendit, por, sipas saj, në fund institucionet vendore do të dalin fitimtarë.
“Si gjithnjë në veri bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik Vuçuiq, nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, mirëpo në këtë sfidë si në çdo tjetër deri sot, do të dalim fitimtarë”, ka përfunduar ajo.
16:50 – Shtyrja e zgjedhjeve në veri, Çitaku: Dështim i Qeverisë – gjendjen në veri mos e trajtoni në Facebook
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media pas takimit me partitë politike për konsultim lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore, ka njoftuar se të njëjtat janë shtyrë për në muajin prill të vitit të ardhshëm, pa dhënë datën e saktë.
Megjithatë, Klan Kosova ka mësuar nga burime brenda takimit se data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është caktuar 30 prilli.
Në këtë takim, e pranishme ishte edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila u deklarua për media pas takimit, duke thënë se shtyrja e zgjedhjeve për më shumë se 4 muaj është dështim i Qeverisë, raporton Klankosova.tv.
Çitaku ka shtuar se, PDK-ja është bashkuar në konsensus për t’i shtyrë zgjedhjet, pasi që e vetme nuk dëshiron të kandidojë në veri.
“Kemi shpallur kandidaturat për zgjedhje në komunat veriore, sepse mospjesëmarrja jonë në këto zgjedhje do të inkurajonte edhe më tej grupet dhe bandat kriminale. Sot presidentja na ftoi në një takim konsultativ për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Ajo që dëgjuam qartë është se institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në vend. PDK-ja nuk mund të hyjë e vetme në zgjedhje në veri, sepse ishte mendim i të gjitha subjekteve politike që këto zgjedhje të shtyhen, dhe ne iu bashkuam këtij konsensusi”, tha Çitaku.
Megjithatë, ajo tha se nga tash deri në prill kur mund të mbahen zgjedhjet, qeveria dhe institucionet, Policia e Kosovës e kryeministri, gjendjen në veri ta trajtojnë seriozisht.
“Shumë pak mund të ndryshojë gjendja në terren, në rast se qasja e institucioneve të Kosovës nuk ndryshon. Ne si shtet nuk guxojmë të dorëzohemi para bandave kriminale të vendit. E kuptuam sot që institucionet e Kosovës nuk janë gati. Ky është dështim. Megjithatë, për hir të konsensusit në vend ne do të marrim pjesë në zgjedhjet e prillit, kurdo që caktohet data, dhe kërkojmë nga institucionet e Kosovës që gjendjen në veri ta trajtojë më seriozisht e jo përmes tastaturave të Facebookut”, ka thënë Çitaku.
Ajo theksoi se gjendja në veri është gjithmonë sfiduese, ndërsa shtoi se është e qartë se Serbia synon ta destabilizojë tërë Kosovën duke u mundur që të nxisë një konflikt të brendshëm, mirëpo tha se “ne duhet të jemi më të vëmendshëm dhe të koordinojmë hapat me kohë”.
“Sikur Qeveria, përkatësisht kryeministri, të kishte marrë parasysh rekomandimet tona para pak muajsh lidhur me targat, sikur t’i kishte marrë parasysh rekomandimet e aleatëve tanë, nuk do të ishim në këtë gjendje ku jemi sot. Për PDK-në, Republika është gjithmonë e para, ne do ta mbajmë konsensusin, jemi opozitë shtetndërtuese, e jo rrënuese. Imagjinoni si do të dukej një ditë si kjo nëse partia që është sot në pushtet do të ishte në opozitë. Ne nuk duam t’i riciklojmë modelet e kaluara të opozitbërjes”, u shpreh nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku. /Klankosova.tv