May 17, 2024
Kosovë

Borrell bisedoi me Kurtin dhe Vuçiqin: Sulmuesit të dorëzohen menjëherë

Lidhur me sulmet në Zveçan, ku humbi jetën një pjesëtarë i Policisë së Kosovës Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tutje bëhet e ditur se gjatë këtyre bisedave telefonike, Borrell ka përsëritur thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit,

”Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të policisë të plagosur”, thuhet ndër tjera në komunikatën e dërguar për media.

EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet./21Media