Zyrtare: Hashim Thaçi ka ardhur në Kosovë
Ish-Presidenti Hashim Thaçi ndodhet sot në Kosovë. Ai është kthyer për herë të parë në vend, që prej nëntorit të vitit 2020, kur ishte dërguar në Hagë.
Thaçi që mbahet në paraburgim në Holandë, ka ardhur sot në Kosovë.
Escobar merr një reagim nga Vuçiq: Kosova s’ka kompetence të propozojë sta…
Informacionin e ka konfirmuar për Gazetën Express Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja Griep ka deklaruar se Thaçi për arsye bindëse dhe humanitare ndodhet për vizitë në familjen e tij.
E njëjta thekson se vizitën e tij në Kosovë po e mbështet EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha Griep.
Raportohet se shkak i vizitës së tij është sëmundja e nënës.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi më 3 prill.
Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.