Zyra e BE-së dhe ambasada amerikane nuk komentojnë zgjerimin e mundshëm të qeverisë
Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup nuk komenton vendimet e partive politike nëse do të jenë ose jo pjesë e qeverisë. Të pyetur nga Alsat se cili është qëndrimi misionit të BE-së për zgjerimin e koalicionit qeveritar dhe si i komenton deklaratat e politikanëve, përfshirë edhe Arben Taravarin se për këtë çështje është në konsultim edhe më faktorët ndërkombëtar, nga zyra e BE-së thonë se bëhet fjalë për çështje sovrane andaj edhe nuk komentojnë punët e brendshme të partive politike.
“Delegacioni Evropian po ndjek nga afër zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut. Duke e ditur se këto janë çështje sovrane, delegacioni i BE-së nuk komenton çështje të brendshme politike e as deklarata individuale të politikanëve”, njoftojnë nga Zyra e BE-së.
Në Kuvendin Qendror të ASH-së të shtunën në Kumanovë, mes tjerash do të diskutohet edhe për atë nëse Aleanca do të jetë ose jo pjesë e qeverisë. Nga ASH-ja kanë bërë të ditur se sot Arben Taravari është takuar me ambasadoren amerikane, Angela Aggeler, por në njoftimin e kësaj partie nuk përmendet fare nëse në këtë takim është biseduar për pjesëmarrjen e Aleancës në qeveri.
Alsat pyeti edhe ambasadën amerikane se cili është qëndrimi i saj për zgjerimin e mundshëm të qeverisë dhe pohimet e zyrtarëve partiak, përfshirë edhe Arben Taravarin se për këtë çështje është në konsultim me ndërkombëtarët, nga Ambasada amerikane u përgjigjën shkurt se “Ambasadorja Ageler vazhdimisht ka takime me përfaqësues të partive politike”.
Nga VMRO-ja e cila në vazhdimësi kërkon zgjedhje dhe po përgatit mocionin e mosbesimit të qeverisë pyeten publikisht Taravarin të tregoj se kush është ai faktor ndërkombëtar, i cili i kërkon Aleancës të bëhet pjesë e Qeverisë.
Nga ASH-ja thonë se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, në çdo kohë, por duke parë kompleksitetin e zhvillimeve rajonale, ashtu si në të kaluarën, edhe tani, vendimet i merr bazuar mbi interesat shtetërore, shoqërore dhe gjeostrategjike dhe në përputhje me qëndrimet e partnerëve strategjik. Por Taravari në intervistën e fundit për Alsat kishte deklaruar se vendimin finale duhet të merr anëtarësia përmes referendumit.
“Në qoftëse ka një ofertë të cilën duhet ta shqyrtojmë, atëherë çdo anëtarë i Aleancës duhet të jetë vendimmarrës dhe këtë do ta kishim organizuar si një referendum brenda partisë”, u shpreh Arben Taravari,Kkryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Partitë shqiptare si BDI-ja, Alternativa, deputeti Kastriot Rexhepi, dhe tani Aleanca, çdo vendim që kanë marrë qoftë për pjesëmarrje në qeveri, apo për çështje tjera janë thirrur në faktorin ndërkombëtar, apo siç pëlqejnë të thonë me miqtë evropian dhe amerikan. /Alsat.mk