April 29, 2024
Maqedoni

Kovaçevski: “Grupi i zjarrit” nuk i bën problem Qeverisë

I pyetur për përçarjet brenda BDI-së dhe paraqitjes së grupit të pakënaqur në këtë parti dhe nëse kjo do të ndikonte në stabilitetin e Qeverisë, kreu i ekzekutivit, Dimitar Kovaçevski tha se kjo nuk paraqet problem për shumicën parlamentare, përcjell TV21. Kovaçevski tha se edhe deputetët e pakënaqur brenda BDI-së nuk vënë në pyetje çështjen e stabilitetit të Qeverisë.

“Kjo nuk i bën problem Qeverisë sepse…fillimisht unë nuk dua të komentoj ngjarje në parti tjera politike. Megjithatë edhe nëse i shihni deklaratat e deputetëve nga BDI, pa dallim diskutimeve tjera që i zhvillojnë, asnjëri prej tyre nuk e ka vënë në pyetje çështjen e Qeverisë…në kontekst se nuk jep mbështetje”, tha mes tjerash Kovaçevski në përgjigjen ndaj gazetares së TV21.