Zv Drejtori i Doganave në RMV Mustafa Dauti realizoi sot vizitë zyrtare në pikën kufitare Bellanoc -Stançiç.
“Sot jemi në pikën kufitare Bellanocë–Stançiq, një pikë e rëndësishme që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Kosovës.
Është pikë me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për lidhjen rajonale ndërmjet dy vendeve. Ajo krijon një lidhje më të drejtpërdrejtë ndërmjet zonës së Kumanovës dhe Gjilanit, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve”, tha me këtë rast Dauti.
Ai shtoi se kjo pikë na lidh jo vetëm fizikisht me Kosovën, por edhe ekonomikisht.
“Prandaj, investimi në funksionalitetin e saj dhe në modernizimin e mënyrës së punës është investim në një lidhje më të mirë ndërmjet dy vendeve dhe në një rajon më të ndërlidhur.
Momentalisht kjo pikë kufitare është e dedikuar vetëm për kalimin e automjeteve megjithatë, ne jemi duke punuar që në të ardhmen kjo pikë të mundësojë edhe qarkullimin e mallrave.
Gjatë vizitës, pata mundësinë të shoh nga afër gjendjen dhe mënyrën e funksionimit të kësaj pike, si dhe të diskutoj për mundësitë që kemi për ta përmirësuar dhe zhvilluar më tej.
Si institucion kemi përgjegjësi që pikat kufitare të jenë sa më funksionale, efikase dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve”, shtoi Dauti.
Sipas tij, një nga proceset në të cilin është duke u punuar në mënyrë intensive është edhe funksionalizimi i sistemit One Stop Shop, që edhe kjo pikë kufitare, ashtu si pikat e tjera ku ky sistem aplikohet, të mundësojë procedura më të shpejta, më efikase dhe më të koordinuara për qytetarët.
“Për ne, përmirësimi i infrastrukturës, organizimi dhe shërbimi në pikat kufitare nuk është vetëm çështje administrative por është pjesë e përpjekjes për të krijuar lëvizje më të lehtë, bashkëpunim më të mirë ndërkufitar dhe lidhje më të forta rajonale”, theksoi Dauti.

