Zjarri që shpërtheu mbrëmë në një shtëpi të vjetër përballë kalasë së Shkupit, në hyrje të Çarshisë së Vjetër, edhe sot ishte aktiv.
Zjarrfikësit deri në orët e para të mëngjesit kanë punuar për ta vënë zjarrin në kontroll të plotë.
Gjatë mbrëmjes, zjarrfikësit ndërhynë me pesë automjete e 20 zjarrfikës dhe parandaluan përhapjen e flakëve në objektet përreth. Sipas komandantit të njësitit të Zjarrfikësve të Shkupit, Zvonko Tomevski, njoftimi për zjarrin në Çarshi është marrë në orën 19:43 ndërsa është intervenuar menjëherë.
“Në orën 19:43 u mor një njoftim për zjarr në një shtëpi të braktisur në rrugën ‘Samoilova’ i cili objekt ishte tërësisht i përfshirë nga zjarri. Menjëherë u dërguan pesë automjete të zjarrfikësve, dhe me 20 zjarrfikës. Për një kohë të shkurtë u lokalizua dhe nuk u lejua që të kaploje edhe objekte tjera. Ekipet e zjarrfikësve vazhduan intervenimin edhe sot në mëngjes pasi ka material djegës në objekt dhe u deshtë që të pastrohet dhe të shuhet zjarri”, tha Zvonko Tomevski – Komandant i Njësitit të Zjarrfikësve të Shkupit.
Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur, ndërsa sipas informatave jozyrtare, objekti ku shpërtheu zjarri përdorej shpesh nga persona të pastrehë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po kryejnë ekspertizë në vendngjarje për të zbuluar shkaqet.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza, gjithashtu njoftuan se është intervenuar menjëherë pas marrjes së informatave për zjarr në një objekt të vjetër në Çarshi të Shkupit./ Alsat.mk

