May 6, 2024
Maqedoni

Zjarr në Strugë, digjen disa objekte të bizneseve private

(Foto Internet)

Në orët e para të mëngjesit të sotëm në hyrje të qytetit të Strugës disa objekte janë kapluar nga një zjarr i madh, ku janë djegur disa biznese private. Zjarri ka filluar në njërin prej objekteve e më pas janë përfshirë edhe 7 objekte të tjera në afërsi.

“Jemi duke raportuar nga hyrja e qytetit, në vendin ku ndodhi zjarri, që kaploi objektet e disa bizneseve private. Zjarri ka filluar në orët e vona të natës, ndërsa është raportuar nga qytetarët kalimtarë. Ka pasur ndërhyrje të menjëhershme të zjarrfikësve. Sipas raportimit të policisë, zjarri ka nisur nga një objekt, që ka qenë biznes për ushqim të shpejtë, e më pas janë djegur edhe 7 objekte të tjera. Nuk ka të lënduar, por ka dëme të mëdha materiale.”.

laplaza
“Rastin e kanë paraqitur kalimtarët që kanë kaluar rastësisht dhe e ka lajmëruar në njësinë e zjarrfikësit e Strugës. Raportimi ka ardhur në ora 2:55, menjëherë kemi intervenuar, nuk e kemi ditur çfarë është, u afruam dhe e pamë zjarrin që ka kapur barakat në afërsi të UJP-së. Në ora 3 kemi arritur në vendngjarje, në ora 7 është likuiduar zjarri, me 4 automjete të zjarrfikësit. Aq sa mundnim e arritëm qëllimin me sukses, sepse mundej të hapet edhe më shumë.”, – theksoi drejtori i N.P. Zjarrëfikësit-Strugë, Feti Mazari.

Edhe pse zjarri u lokalizua në orët e mëngjesit, deri në orët e pasdites në vendngjarje kishte ende zjarrfikës, të cilët u siguruan që nuk ka diçka që mund të shkaktojë sërish zjarr. Ndërsa, ende është duke u kryer ekspertiza e plotë e rastit, deri në informacionet e fundit, ende nuk dihet se çka e shkaktoi zjarrin.