May 4, 2024
Maqedoni

Zjarr në klubin bullgar në Manastir

Zjarr në hyrje të qendrës kulturore bullgare “Vanço Mihajlov” në Manastir. Zjarrin e denoncoi në polici një qytetar i cili tha se ka dëgjuar thyerje të xhamave, ndërsa më pas ka parë duke u djegur dera hyrëse e objektit.

“Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit në Manastir, ndërsa ekipi inspektues i SPB Manastir, në koordinim me prokurorin publik kujdestar kanë kryer ekspertizë dhe ndërmerren masa dhe aktivitete përkatëse për zbardhjen e rastit”, deklaroi MPB.

Nga Prokuroria thonë se kanë dalë menjëherë në terren.

“Nga vendi i ngjarjes janë marrë gjurmë për të cilat prokurori publik ka lëshuar urdhër për ekspertizë. Prokurori publik për gjetjen e autorit menjëherë do të lëshojë urdhër për sigurimin e incizimeve nga video kamerat e sigurisë të vetë objektit, por edhe të objekteve përreth”, u shpreh Prokuroria Publike.

Nga njësia e zjarrfikësve të Manastirit thonë se zjarri është shuar për dhjetë minuta.

“Ekipi ynë ka reaguar menjëherë me dy makina zjarrfikëse dhe 6 zjarrfikës. Në një kohë të shkurtër, për rreth 10- 15 minuta zjarri u shua. Reaguam shpejt, nuk kishte rrezik nga përhapja e zjarrit në objekt”, u shpreh Goran Dimkoski, brigada zjarrfikëse Manastir.

Qendra kulturore “Vanço Mihajlov” u hap në Manastir një muaj më parë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri bullgar. Emërtimi i kësaj qendre kulturore me emrin e një bashkëpunëtori të Hitlerit shkaktoi reagime dhe pakënaqësi në opinion.

Kreu shtetëror në vend dënoi djegien në Qendrën Kulturore Bullgare në Manastir. Dënimi erdhi edhe nga Bullgaria fqinje.

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, bëri thirrje për hetim të shpejtë dhe të detajuar për zjarrin në klubin “Vanço Mihajlov”, e më pas të ndëshkohen autorët.

“E dënoj ashpër djegien e objektit të qendrës kulturore të komunitetit bullgar në Manastir. Veprimet e tilla janë provokim dhe nuk shkojnë në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë”, ka shkruar Pendarovski në Facebook.

Zbardhje të shpejtë të rastit kërkoi edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Provokime të tilla nxitëse kanë për qëllim prishjen e marrëdhënieve mes popullit maqedonas dhe bullgar. Andaj ju bëj thirrje të gjithëve që të qëndrojmë të qetë dhe dinjitoz dhe me autorët do të merren institucionet”, ka shkruar Kovaçevski.

Nga Sofja zyrtare, u prononcua nënpresidentja Iliana Jotova e cila tha se djegia e qendrës ishte një tjetër provokim dhe pjesë e një fushate masive antibullgare që filloi menjëherë pas hapjes së klubit.

“Vetëm veprimi i shpejtë i institucioneve kompetente në afat sa më të shkurtër të mundshëm për identifikimin e autorëve do të dëshmojë se të drejtat e bullgarëve, si dhe të të gjitha kombësive tjera, respektohen te fqinji ynë perëndimor”, ka shkruar Jotova.

Për ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, akti vandal është dëshmi se ka shumë aktorë që janë kundër përparimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ky sulm vandal është një tjetër dëshmi se ka shumë aktorë që janë kundër arritjes së përparimit në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane“, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme./Alsat.mk