May 22, 2024
Maqedoni

Zjarr edhe në fabrikën Ohis, mbyllet rruga për në Draçevë

Pasdite një vatër zjarri u përhap në ish fabrikën kimike “Ohis”. Bulevardi para objektit është i mbyllur për qarkullim. Zjarrfikësit arritën të shuajnë flakët përreth fabrikës, ndërsa më pas u lokalizua edhe zjarri në godinën administrative të ish -gjigantit kimik. Komandanti i Njësitit Zjarrfikës thekson se kanë pasur vështirësi të shumta në shuarjen e flakëve. Deri më tani, ekipi i zjarrfikësve nuk ka informacion për shkaqet e zjarrit, por thonë se deri më tani nuk ka rrezik nga flakët që përfshinë pjesën ku është ruajtur lindani i rrezikshëm. Nga ana tjetër autoritetet sigurojnë se nuk ka rrezik të ndotjes së ajrit me material të rrezikshëm.

“Sot vërtetë kemi një ditë të vështirë, i kemi pasur diku rreth 24-25 intervenime në periudhë prej dy orë e gjysmë ndodhi pas erërave të forta. Të gjitha resurset ishin aktive në terrenin e qytetit të Shkupit, së pari u dërguan dy automjete që filluan me shuarjen e zjarrit. Derisa arriti ndihma na duhej pak kohë ta vëmë nën kontroll këtë zjarr, tani punohet për shuarjen e tij. Për fat të keq kemi një kolegë që është asfiksuar por shpresoj se do të jetë mirë. Atë që e pamë brenda kemi zjarr në tre vende të ndryshme, kështu që nuk mund të them prej kujt është. Të gjithë ishin kritike, për fatin tonë arritëm t’ia dalim me këtë sfidë dhe tashmë jemi të lodhur”- deklaroi ZVONKO TOMOVSKI, KOMANDANT I NJËSITIT ZJARRFIKËS.