Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës për zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik, me standarde të larta dhe me interesim të jashtëzakonshëm qytetar.

Në reagimin e tij publik, Sela ka përgëzuar Kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe rezultatin e shënuar në zgjedhje, duke e cilësuar atë si shprehje të vullnetit qytetar.

“Uroj Kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe rezultatin e arritur. Përgëzoj gjithashtu edhe subjektet dhe pjesëmarrësit e tjerë në këto zgjedhje për kapacitetet demokratike dhe vlerat që dëshmuan gjatë dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor”, ka deklaruar Sela.

Ai ka shprehur dëshirën që Kosova sa më shpejt të ketë institucione të kompletuara dhe stabile, të cilat do të garantojnë progres në të gjitha fushat, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian dhe vendeve të zhvilluara demokratike.

“Dëshirojmë që sa më shpejt ta shohim Kosovën me institucione të konsoliduara, stabile dhe me progres të gjithanshëm, duke vazhduar bashkërisht rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar kryetari i ASH-së.

sqShqip