May 21, 2024
Maqedoni

Zhgënjen familjarët, Gjykata Supreme shtyn seancën për rastin “Alfa”

Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha për sot, Gjykata Supreme e anuloi seancën për rastin “Alfa”, gjegjesisht ajo do të mbahet rreth një muaji më vonë, më 25 dhjetor. Shkaku i këtij prolongimi ishte mungesa e disa antarëve të trupit gjykues dhe e prokurorit të lëndës. Këshilli Gjyqsor që do ta udhëheq këtë lëndë në Gjykatën e Lartë përb ëhet nga Xhemali Saiti, Shpend Devaja, Elica Kërstevska, Mirjana Llazarova, Anita Boshkovska, kurse prokuror është Boban Llazarevski.

Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa” një ditë më parë kishte paralajmëruar se për ta sot do të jetë ditë e madhe dhe pasi përfundoi seanca në këtë mënyrë, ai u shpreh i zhgënjyer, sepse siç tha janë bërë 15 vjet pritje.

Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa”

“Një ndryshim i një gjykatëses, një muaj na duhet të presim këtë ditën e madhe që e paralajmërova unë. Unë prap jam pesimist në aspektin e asaj që një ditë para seancës ndryshohet për arsye sedi çfarë dhe një muaj duhet të presim, duke pasë parasysh se ne kemi dorëzuar një superekspertizë tash e 21 muaj, Gjykata e Apelit na e vonoi 16 muaj, dhe tash Gjykata Supreme 5 muaj zvarrit lëndën, kështu që unë nuk kam koment, e kam pritur si ditë të madhe por në fakt doli ditë e vogël, si 15 vite me radhë”.

Se ka qenë një rrugëtim i gjatë duke kërkuar drejtësi për të akuzuarit, e thotë edhe avokati Asmir Alispahiq.

Asmir Alispahiq, avokat

“Këshilli Gjyqsori informoi se një antar i Këshillit për shkaqe shëndetësore, nuk ka mundur të marrë pjesë sot në seancën gjyqsore. Sigurisht ne e pranojmë dhe kuptojmë atë shkak. Ne e kemi pritur gjatë këtë ditë, si dhe faktin që këtë lëndë e pret edhe Gjykata Penale dhe kjo është pas parashtrimit të kërkesës të të akuzuarit të dytë Agim Islamit, ne jemi të durueshëm, ky proces zgjatë më shumë se 8 muaj e gjysëm për Almir Rëplanin dhe për Agim Islamin, tani mbushen 15 vite”.

Përndryshe, pala mbrojtëse pret që Gjykata Supreme, të kthej lëndën nga e para.

Ky rast ka të bëjë me vrasjen e policit në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup. Për këtë rast, Rexhail Qerimi, Agim Islami dhe Almir Drpljani, u denuan me burg të përjetshëm. Qerimi para dy vitesh ndërroi jetë në burg, duke pritur të dëshmohet pafajsia e tij.