Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, VLEN: Osmani ka dosje, s’na përfaqëson

Koalicioni opozitar VLEN konsideron se kandidimi i Bujar Osmanit për president nga radhët e BDI-së pati vetëm një qëllim, pamundësimin e kandidaturës së vetme të përbashkët shqiptare. Sipas bllokut opozitar, Osmani nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët, për shkak të akuzës ndaj tij për korrupsion.

“Bujar Osmani është thjesht “Kurban pa Bajram” i BDI-së për këto zgjedhje. Ai asnjëherë nuk mund denjësisht të përfaqësojë shqiptarët. Bujar Osmani nuk mundet assesi ta quajë veten kandidat për të përfaqësuar shqiptarët, sepse për turpin e tij ai është shqiptari i parë dhe i vetëm me lëndë në Prokurorinë Speciale, ku është akuzuar për korrupsion në lëndën me emrin “Pacienti”.”, – deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Fari Hiseni.

BDI: Jemi fokusuar maksimalisht në fitore

Por për BDI-në, akuzat e opozitës shqiptare dhe maqedonase bëhet vetëm për të shkaktuar panik tek elektorati shqiptar.

“Për zgjedhjet presidenciale jemi të fokusuar maksimalisht që t’i fitojmë këto zgjedhje, në rrethin e dytë zgjedhor kemi qëllim, Bujar Osmanin, ndërsa në rrethin e dytë beteja fillon nga zero, duke pasur parasysh se Bujar Osmani ka kapacitet më të madh koalicioni, presim fitore. Ne do të jemi në rrethin e dytë dhe kapacitetet tona janë drejtuar kah fitorja.”, – theksoi Arbër Ademi nga BDI.

LSDM: Kandidatura e VMRO-së izolon vendin

Akuza për kandidatët për president edhe në bllokun maqedonas. Për LSDM-në, fitorja eventuale e Siljanovskës nga VMRO-ja, do të na kushtojë me stagnim prej një dekade.

“Narrativi i Siljanovskës në Kuvend në katër vitet e kaluara është dëshmi se ajo ushqen vlerat e izolimit, mbylljes dhe të pashpresës e që në realitet janë karakteristika kryesore të partisë nga pallati i bardhë. Siljanovska dhe Mickoski janë dy anët e së njëjtës monedhë dhe ajo është paraja që kusuritet me të ardhmen evropiane të Maqedonisë.”, – u shpreh Snezhana Kalevska nga LSDM.

VMRO: LSDM-ja me pushtetin bllokuan integrimin

Por, sipas VMRO-DPMNE-së, rruga evropiane e vendit ka ngecur pikërisht për fajin e pushtetit aktual.

“Edhe Stevo Pendarovski pranoi se Qeveria e LSD-së dhe BDI-së dhe ai si president e kanë vënë shtetin në pozicion të përulur të Bullgarisë, dhe e kanë lidhur progresin tonë drejt BE-së sipas dëshirës së Bullgarisë dhe interpretimit të tyre historik. Stevo mund të gjejë interpretim tjetër, por faktin se LSD-ja dhe BDI-ja e kanë bllokuar Maqedoninë, nuk mundet ta ndryshojë.”, – theksoi Mile Levkov nga VMRO-DPMNE.

Fushata për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale zyrtarisht nis më 4 prill.