April 30, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Vankovska: Duhet përballje mes kandidatëve

Kandidatja presidenciale e “Së Majtës”, Biljana Vankovska, para banorëve të Vinicës dhe Koçanit, ka shpjeguar disa nga angazhimet e saj si presidente. Vankovska thotë se do të bisedojë me qytetarët gjatë gjithë kohës për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, që t’i detyrojë ata të mendojnë se a është mirë që një Kushtetutë të arnohet e më pas sërish të mos respektohet. Ajo gjithashtu shprehet se turp i këtij procesi parazgjedhor është mungesa e përballjes mes kandidatëve për president. U jemi borxhli qytetarëve, ata presin të na shohin të gjithëve përballë njëri-tjetrit, me argumente, me teza dhe më pas të marrin vendimin se kë do të votojnë, thotë Vankovska.

“Ne kemi aq shumë punë për të cilat duhet të bisedojmë dhe mendoj se edhe vetë akti i inicimit është revolucionar në vete. Do t’i detyroj të gjithë në shoqëri të mendojnë se a ndjehemi ne mirë që ta arnojmë këtë Kushtetutë dhe të mos e respektojmë atë. Kjo është kryesorja. Megjithatë t’u rikthehem kundërkandidatëve të mi, të cilët anashkalojnë debat sepse do të shihet se sa janë identikë, do të shihet se sa ndryshime ofrojnë për një temë të njëjtë. Nuk planifikojnë asgjë të guximshme të ndërmarrin. Ja, sot më informuan se në rrjetet sociale qarkullon një peticion spontan në të cilën qytetarët kërkojnë nga ne që të ballafaqohemi dhe ne duhet t’ua japim këtë ballafaqim.”, – deklaroi kandidatja për presidente nga “E Majta”, Biljana Vankovska.

Një nga pikat kryesore të programit të saj është miratimi i një Kushtetute të re civile, e cila sipas Vankovskës do t’i jepte fund shtetit binacional dhe procesit të federalizmit.