April 29, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski tubim në Kumanovë

Anëtarësimi i vendit në NATO, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe fillimi i negociatave me BE-në, janë disa nga të arriturat e garniturës aktuale në pushtet, tha Stevo Pendarovski, i cili kërkon mandatin e dytë presidencial si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja për ardhmëri evropiane. Pendarovski mbrëmë u kërkoi kumanovarëve që të votojnë për të pasi që kjo është zgjidhja e vetme për të ecur vendi drejt BE-së dhe u zotua se do të jetë president i të gjithëve pa dallim përkatësisë etnike apo politike. Pendarovski fajësoi VMRO-në për bllokimin e ndryshimeve kushtetuese dhe rrugëtimin evropian.

“Në momentin kur filluam negociatat me BE-në, kur e përfunduam konferencën e parë në Bruksel, morëm një goditje të papritur nga brenda. E kishim të qartë se Bullgaria nuk dëshironte të na shoh në BE ose dëshiron të na shohë nën kushtet e tyre, që në këtë rast i binte që të heqim dorë nga identiteti dhe gjuha, mirëpo nuk besuam se partia më e madhe opozitare do ta bllokojë rrugëtimin tonë evropian vetëm për një arsye. Ata dëshirojnë me çdo kusht të vijnë në pushtet dhe të udhëheqin vendin pa kontroll, në kurrizin e popullit, mundësisht deri në pafundësi. Njëjtë si në kohën e regjimit, ku ata 11 vite në pushtet ishin nën kurrizin e qytetarëve, ishin në pushtet dhe kur ekzistonin vetëm dy kategori të qytetarëve, anëtarë të VMRO-së dhe të gjithë të tjerët.”, – deklaroi kandidati për president nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.

Pendarovski po ashtu u tha qytetarëve të Kumanovës se falë politikave të mira, janë stabilizuar dukshëm marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe vlerësoi se tashmë disa vite me radhë askush nuk flet për përkeqësimin e çështjeve etnike se mund të jenë burim i destabilizimit të vendit.

Karvani zgjedhor i kandidatit të LSDM-së dhe koalicionit “Për ardhmëri evropiane”, Stevo Pendarovski, nën moton “Presidenti ynë” sonte vazhdon me tubimet zgjedhore në vendbanimet Saraj, Çair, Gjorçe Petrov, ndërsa tubimi i kryesor i Pendarovskit do të zhvillohet në lagjen Autokomandë të komunës së Gazibabës. Qytetarëve të këtyre vendbanimeve, Pendarovski do t’ua prezantojë programin dhe ofertën e tij presidenciale për pesë vitet e ardhshme nëse arrin të merr mandatin e dytë.

Deri në fund të fushatës së rrethit të parë, karvani i Pendarovskit ka parashikuar të vizitojë gjithsej rreth 65 vendbanime në të 6 njësitë zgjedhore. Një ndër shtyllat kryesore të platformës së Pendarovskit janë hapërimi i vendit në rrugën eurointegruese, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe zotohet para qytetarëve se do të jetë President i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik apo politik dhe se do të jetë “urë lidhëse” mes liderëve politik për të gjetur konsensus për çështjet të cilat janë me interes shtetëror.