May 15, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski kundër rinegocimit të marrëveshjeve

Kandidati për president i mbështetur nga koalicioni i LSDM-së, Stevo Pendarovski, mbrëmë mbajti dy tubime në qytetin e Gradskos dhe  Kavadarit, ku u kërkoi kundërkandidatëve të tij maqedonas që në asnjë mënyrë të mos ofrojnë anulimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rinegocionim e kornizës negociuese me BE-në, pasi që në këtë mënyrë, siç tha Pendarovski, vendi do të kthehet prapa, ndërsa qytetarëve të Kavadarit u tha se do të përjetojnë regjimin dhe ndasitë nga qeverisja e kaluar me VMRO-DPMNE.
“Çfarë ofron opozita maqedonase, nëse diçka në të vërtetë ofron?! Ajo ofron anulimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat e kthyen vendin në botën civilizuese dhe thotë se do të rinegociojë përsëri. Unë kam një lutje për ta, mos rinegocioni, mos ju lutëm,  përsëri të presim 20 apo 30 vite për të arritur ndonjë marrëveshje tjetër për të cilën nuk kemi asnjë garanci se do të jetë më e mirë se kjo e tanishmja, sepse edhe këto marrëveshje që i arritëm me të cilën u anëtarësuam në NATO dhe jemi në prag të BE-së i arritëm jo vetë, por me ndihmën e partnerëve tanë strategjikë, respektivisht me dy vende anëtare të BE-së dhe ShBA-së. Vetëm kjo është garanci, se nëse e përfundojmë procesin do të jemi në nivelin e mesatares evropiane për një kohë të shkurtër.” , – theksoi kandidati për president –  LSDM, Stevo Pendarovski.
Pendarovski ftoi qytetarët më 24 prill dhe 8 maj masovikisht të votojnë për të dhe koalicionin e LSDM-së, pasi që në këtë mënyrë do të mund të mbahet dhe të vazhdohet kursi euroatlantik i vendit. Pendarovski, duke folur për të arriturat dhe mangësitë e qeverisë aktuale, tha se është koha e duhur që në vend të zbatohet një veting i plotë, jo vetëm ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, por edhe ndaj politikanëve dhe u shpreh i bindur se kandidatja e VMRO-së, Gordana Siljanovska Davkova, nuk do ta kalojë këtë veting.
Karvani zgjedhor i koalicionit të LSDM-së dhe Stevo Pendarovskit nën moton “Presidenti ynë” sonte vazhdon me tubimet e parashikuara zgjedhore për të fituar mandatin e dytë presidencial.
Sonte tubime do të mbahen në qytetin e Dojranit, Bogdancës, Vallandovës dhe Gjevgjelisë. Si zakonisht, në kuadër të agjendës së tij, Pendarovski do të zhvillojë edhe disa takime ndarëse me qytetarët e këtyre vendbanimeve ku njëherit më hollësisht do t’ua prezantojë programin dhe ofertën e tij presidenciale. Deri në fund të fushatës së rrethit të parë karvani i Pendarovskit, i mbështetur nga LSDM-ja, ka parashikuar të vizitojë gjithsej rreth 65 vendbanime në të 6 njësitë zgjedhore. Një ndër shtyllat kryesore të platformës së Pendarovskit është hapërimi i vendit në rrugën eurointegruese, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ndëretnike dhe zotohet para qytetarëve se do të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe se do të  jetë “urë lidhëse” mes liderëve politikë për të gjetur konsensus me të gjithë liderët politik për çështjet të cilat janë me interes shtetëror.