May 12, 2024
Lajmet e rejaMaqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Osmani i rikthehet agjendës së gjelbër

Kandidati për president nga radhët e “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, para qytetarëve ka shpalosur programin e tij për agjendën e gjelbër. Osmani thotë se sfidë e shekullit 21 është dhe kujdesi ndaj ambientit jetësor në planet dhe mirëqenien e qytetarëve. Në rastin e zgjedhjes sime si president do të propozoj ngritjen e një Bordi për validim, një trupi të dedikuar që do t’u bëjë veting të gjitha projekteve dhe ligjeve për ndikimin e tyre ndaj mjedisit jetësor, ka thënë Osmani.
“Për shkak se degradimi ambientit jetësor, ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e vendit tonë dhe si përgjegjës i sigurisë, si president i shtetit, dua të krijoj shoqëri dhe shtet rezistues ndaj këtyre dukurive. Luftërat moderne bëhen si rezultat i ndryshimeve klimatike. Thatësira, vërshimet dhe zjarret bëjnë zhvendosjen e popullatës dhe zhvendosja e popullatës sjell konflikte dhe prandaj ne detyrimisht duhet të mbrojmë trashëgiminë tonë natyrore dhe mendoj se presidenti nëpërmjet këtij bordi validimi dhe vetingu të projekteve, sa i ndikon ambientit jetësor, mund të ndikojë dukshëm në krijimin e një shteti të gjelbër dhe më të sigurt.”, – theksoi kandidati për president, Bujar Osmani.
Bordi i propozuar nga Osmani do të shërbejë si mbrojtës i trashëgimisë sonë natyrore, duke siguruar që çdo vendim që marrim si shtet, të jetë në përputhje me parimet e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit. Ngritja e bordit do të jetë dëshmi për përkushtimin tonë ndaj brezave të ardhshëm, duke u siguruar që ata të trashëgojnë një vend, jo vetëm të begatë, por edhe të gjelbër dhe të sigurt. Siguria nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë dhe armatën, por ka të bëjë edhe me krijimin e një shoqërie e cila është rezistuese, e vetqëndrueshme dhe në harmoni me natyrën, ka thënë Osmani.
Megjithatë, përderisa synojmë zhvillimin, duhet medoemos të sigurohemi që ky progres, të mos bëhet në kurriz të vetë mjedisit jetësor, i cili na mban në jetë. Si kandidat për president, Osmani tha se është i përkushtuar për një agjendë të gjelbër, e cila vendos në plan të parë shëndetin e planetit tonë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
“Për realizimin e kësaj agjende, unë propozoj ngritjen e një Bordi për validim, një trupi të dedikuar që do t’u bëjë veting të gjitha projekteve dhe ligjeve për ndikimin e tyre ndaj mjedisit jetësor.”,- tha Osmani.
Sipas tij, kjo do të jetë dëshmi për përkushtimin ndaj brezave të ardhshëm, duke u siguruar që ata të trashëgojnë një vend, jo vetëm të begatë, por edhe të gjelbër dhe të sigurt. Osmani u bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe votuesve që ta mbështesin këtë zotim./TVM2