May 17, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Pendarovski hapi shtabin zgjedhor në Shkup

Kandidati për President i mbështetur nga koalicioni i LSDM-së, Stevo Pendarovski, hapi shtabin zgjedhor në sheshin “Maqedonia” në Shkup dhe njëherit prezantoi programin, agjendën dhe përcaktimin e tij zgjedhor për të fituar mandatin e dytë nga qytetarët. Stevo Pendaroski parashikon të realizojë një numër të madh të tubimeve dhe një sërë takimesh me qytetarët, për t’ua shpjeguar më hollësisht programin e tij politik për të udhëhequr shtetin edhe gjatë pesë viteve të ardhshme. Tha se do të realizojë një fushatë pozitive dhe të bazuar në vlera proevropiane dhe properëndimore dhe do të tentojë t’ua shpjegojë qytetarëve rëndësinë për të mbajtur kursin euroatlantik të vendit dhe për t’ua shpjeguar ndryshimin e kontekstit rajonal dhe gjeopolitik që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.
“Kemi parashikuar të vizitojmë 65 vendbanime nëpër të gjitha njësitë zgjedhore, respektivisht në të gjitha komunat në RMV. Presim të realizojmë takime me mijëra qytetarë ku do t’u prezantoj se cila është oferta ime për pesë vitet e ardhshme. Dikush ndoshta do të thotë se nuk është e nevojshme që të kem prezantimin më të madh për vetën, pasi që mbrapa meje kam veç më një mandat të realizuar 5 vjeçar dhe qytetarët e RMV-së shumë mirë e dinë për çfarë jam angazhuar, për cilat çështje kam qenë kundër, çfarë kam mbështetur dhe përafërsisht e dinë se çfarë mund të presin nga profili im politik edhe gjatë mandatit të ardhshëm, nëse më japin mbështetjen e tyre. Megjithatë unë mendoj se lufta në Ukrainë pak e ka ndryshuar kontekstin vendor, rajonal dhe atë ndërkombëtar gjatë këtyre 5 viteve, andaj mendoj se duhet t’i tregojë qëndrimet e mia në lidhje me këto kontekste.”, – deklaroi kandidati për president –  LSDM, Stevo Pendarovski.
Stevo Pendarovski po ashtu vlerësoi se asnjë kandidatë realisht nuk ka shanse për të fituar garën presidenciale që në rrethin e parë zgjedhore, pasi siç tha, vendi për herë të parë ka shtatë kandidatë për president dhe vota do të shpërndahet tek të shtatët, por u shpreh i bindur se në rrethin e dytë zgjedhor ai do ta fitojë garën për t’u bërë President i RMV-së./TVM2