May 5, 2024
BallinaMaqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, OSBE-ODIHR-i jep vlerësimin pozitiv mbi zgjedhjet

OSBE-ODIHR-i me konkluza preliminare për fushatën dhe ditën e zgjedhjeve presidenciale. Votimi sipas kësaj organizate ka vijuar në atmosferë të qetë, demokratike dhe në masë të madhe janë respektuar procedurat për votim, me disa shkelje të vogla në disa komisione zgjedhore. Xhilijan Stirk, shefe e misionit të OSBE-ODIHR-it, në kontekst të kornizës ligjore për zgjedhjet tha se kjo është bazë për zgjedhje demokratike, por si e tillë nuk rregullon të gjitha elementet e garës presidenciale. Shqetësuese mbetet edhe niveli i ulët i përfaqësimit të grave në jetën politike. Servisi publik ka mbuluar të gjithë kandidatët presidencial, në harmoni me rregullativat ligjore, vlerëson ODIHR-i. Kritika për informimin nga portalet e parregjistruara.

“Kemi mbikëqyrur punën e komisioneve zgjedhore, mbulimin mediatik, punën e institucioneve, financimin e fushatës dhe fushatën me mediat sociale. Me qytetarët që jemi takuar këtë periudhë kanë paraqitur atmosferë apatike ndaj establishmentit politik. Reformat e nevojshme në gjyqësor dhe administratë publike janë penguar nga fragmentimi dhe ndarjet etnike. Shpesh kemi dëgjuar për mungesë të mjaftueshme të vullnetit politik për t’u trajtuar këto çështje, nga ana e pushtetit dhe opozitës. Korniza ligjore është bazë e procesit zgjedhor, por në kornizë edhe më tutje ka zbrazëtira dhe disa gjëra jokonzistente.”, – deklaroi shefja e misionit të OSBE-ODIHR-it, Xhillian Shtrik.

Ndërkohë për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës fushata u zhvillua me retorikë të ashpër, por nuk ndikoi në ditën e zgjedhjeve.

“Për dallim nga Zvicra, shoh ndarje politike në baza etnike, gjë që s’e kemi të njohur në Zvicër, por megjithatë ne jemi 700 vjet të vjetër dhe sigurisht kemi pasur kohë të gjejmë mënyrën se si të bashkëpunojmë.”, – theksoi shefi i delegacionit të APKE-së, Alfred Heer.

Zyra e OSBE-së, zgjedhjet presidenciale në vendin tonë i ka vëzhguar me 300 vëzhgues afatshkurtër, 24 afatgjatë dhe 12 ekspertë ndërkombëtar./TVM2