Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, KShZ-ja pritet të shpallë rezultatin jozyrtar

KShZ-ja ka pranuar të gjithë materialin zgjedhor nga Komisionet Komunale, ndërkaq ka shqyrtuar 99.80 për qind të të dhënave onlajn nga procesi i votimit. Sipas të dhënave onlajn, kandidatja e VMRO – DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori mbështetjen e qytetarëve në 60 komuna duke grumbulluar 40.08% të votave, i dyti renditet Stevo Pendarovski me 19.93% duke kryesuar listën në tre komuna, i treti është Bujar Osmani me 13.36% në epërsi votash në 16 komuna krahasuar me Arben Taravarin, i cili ka grumbulluar 9.21% të votave. I katërti renditet Maksim Dimitrievski 9.26%, ndërkaq dy të fundit janë Biljana Vankovska dhe Stevço Jakimovski. Nga KShZ-ja e shpallin si të suksesshëm procesin e votimit, të realizuar në një atmosferë të qetë, pa parregullsi të theksuara. Afër 22 mijë fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.

“Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme është 789.031 vota. Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme është 21 mijë 946 vota.”, – theksoi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.

Deri tek KShZ-ja nuk ka mbërritur ankesë nga partitë politike. Ndërkohë, që dje nuk kanë munguar shqetësimet që janë adresuar nga qytetarët. Gjithsej janë deponuar 354 ankesa, prej të cilave mbi 140 janë pranuar. Gjatë ditës së djeshme 49.75 % e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës. Procesi zgjedhor është shtyrë për një orë në katër vendvotime: Demir Hisar, Likovë, Dellçevë dhe Mogillë, si pasojë e ndërprerjes së votimit për aq kohë, ndërkaq votimi është ndërprerë plotësisht në tre vendvotime të Kumanovës. Në njërin vendvotim është humbur vula, ndërkaq në dy të tjera është shfaqur përpjekje për ndërrimin e aparateve biometrike të identifikimit. Nga KShZ-ja pas shqyrtimit do të vendosin për një rivotim eventual nëse votat do të ishin kyçe për rezultatin final. Rrethi i dytë i presidencialeve zhvillohet më 8 maj me një përballje midis dy kandidatëve, Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski.